Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të mos e përkrahin e ratifikojnë këtë formë të demarkacionit me Malin e Zi.
“Kolegë deputetë, gjykoni drejt, për hir të interesave Kombëtare, lërini anash interesat e politikës ditore”, ka shkruar deputeti Lekaj në një kërkesë drejtuar deputetëve.
Ai u ka thënë kolegëve të vet që “mos tentoni të mbani pushtetin duke ju përshtatur të tjerëve, por bëjeni këtë duke qenë në anën e popullit dhe territorit të vendit, për çka edhe jeni betuar”.
“Nëse mendoni se duke e ratifikuar një marrëveshje të dëmshme për vendin, do të qëndroni gjatë në pushtet, ndoshta në kuptimin politik edhe keni të drejtë, por natyra i ka rregullat e saj, e kur s’do të jeni më as në kolltukët e pushtetit e as në këtë jetë…gjeneratat do t’u gjykojnë për tradhtarë, me të drejtë”, ka shkruar më tej Pak Lekaj.
Ai konsideron se “ratifikimi i marrëveshjes për demarkacion, do të jetë më shumë se gabim, do të jetë krim”. Çdo vendim në favor të saj, thotë Lekaj, vetëm sa do ta përkeqësojë rrezikun për diçka edhe më keq”.
“Kolegë deputetë, logjika e ftohtë e politikës, kërkon që politikanët edhe pasurinë ta sakrifikojnë për të mbrojtur interesat kombëtare, ju po veproni në të kundërt. Mos na i vërtetoni dyshimet tona, se ju nuk mund te funksiononi ndryshe pos mbi mashtrimin, dhunën dhe thyerjen e premtimeve. Na tregoni se keni edhe virtyte të mira”, ka vazhduar Lekaj në kërkesën e tij.
“E keni rastin, thuani jo Demarkacionit”, ka përfunduar deputeti Lekaj./Insajderi.com