Qytetarët nuk do të kenë më nevojë që të shkojnë në gjykata për t’u informuar rreth lëndëve në rastet ligjore. Për emrin e gjyqtarit, ditën se kur do të mbahet seanca, vendin dhe se çfarë ka ndodhur me rastin e tyre, ata do të kenë mundësi që të informohen përmes platformës digjitale në faqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe përmes “eKosova”.
Në po të njëjtën faqe, që nga tetori, është e qasshme edhe një platformë tjetër ku ka të dhëna e statistika për punën e gjyqësorit.
Digjitalizimi i këtyre dy platformave është bërë me qëllim të rritjes së llogaridhënies dhe transparencës së gjykatave ndaj qytetarëve.
Lansimi i këtyre dy platformave është pjesë e projektit “Qasja në të dhëna të gjyqësorit”, i cili është projekt tre-milionësh i financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe implementuar nga Fondacioni i Mileniumit të Kosovës.
Menaxherja e këtij projekti nga Fondacioni i Mileniumit të Kosovës (MFK), Gentiana Mahmuti thotë për KosovaPress se këto dy platforma do të lehtësojnë qasjen e qytetarëve në informacione të gjykatave të Kosovës.
“MFK në bashkëpunim me Agjencionin Federal Amerikan (MCC) ka bashkë-implementuar me Këshillin Gjyqësor të Kosovës projektin “Qasja në të dhëna të hapura të gjyqësorit”, i cili ka qenë një investim tre-milionësh në harduer dhe softuer të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, me qëllim të rritjes së llogaridhënies dhe transparencës së gjykatave të Kosovës ndaj qytetarëve. Përmes këtij projekti ne synojmë, kemi synuar dhe kemi arritur që të bëjmë digjitalizimin e shërbimeve gjyqësore, përmes dy platformave të ndryshme, të cilat janë zhvilluar, e të cilat do ta lehtësojnë qasjen si të qytetarëve, por edhe shoqërisë civile, gazetarëve, por edhe akademisë në informacione të gjykatave të Kosovës në lidhje me lëndët që i pranojnë”, deklaroi Mahmuti.
Platforma e parë bën edhe përfshirjen e gjyqtarëve në lëndë të ndryshme për të parë procesin e lëndës që përfaqësojnë. Emri i gjyqtarit e prokurorit, koha, vendi se ku do të mbahet seanca, janë disa nga të dhënat që mund të kenë qasje qytetarët në këtë platformë.
Mahmuti: Platforma ndërlidhet me përdorimin e saj individual
(Video)
“Platforma e parë është një platformë, e cila ndërlidhet me përdorimin individual të kësaj platforme. Pra, është mekanizmi për përcjelljen e rasteve individuale dhe është i qasshëm vetëm për palët që janë të përfshira në ndonjë proces gjyqësor. Edhe në këtë platformë, secili qytetar i cili e ka një lëndë në gjykatë mund të qaset përmes një procedure të verifikimit, e cila bëhet përmes platformës ‘eKosova’, me të dhëna personale. Edhe aty qytetari ka mundësi të shohë në kohë reale se ku qëndron lënda e tij apo e saj dhe çfarë veprime deri më tani janë ndërmarrë në lidhje me lëndën në të cilën ai është i përfshirë si palë”, shtoi ajo.
Platforma e dytë, në të cilën mund të kenë qasje qytetarët është edhe ajo për të dhënat e hapura.
“Është platformë, të cilën mund ta përdorin të gjithë, pra është e qasshme për të gjithë ata që janë të interesuar të shohin statistikat se ku qëndron puna e gjyqësorit. Edhe kjo platformë është lehtë e navigueshme për publikun. Të gjithë ata që janë të interesuar që të shohin se çfarë po ndodhë në sistemin gjyqësor të Kosovës për sa i përket zgjidhjes së lëndëve, performancës së gjyqtarëve të ndryshëm, zgjidhjes së llojit të lëndëve në baza regjionale të ndryshme apo statusit ekonomik të palëve të përfshira në lëndë. Të gjithë këto informacione të cilat mund të merren nga platforma e të dhënave të hapura”, tregon Mahmuti.
Për rëndësinë e këtyre dy platformave, të cilat janë lansuar para një muaji, flet edhe Fatmir Rexhepi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
“Rëndësia e këtyre dy platformave për Këshillin Gjyqësor është në shumë drejtime. Pikë së pari është për vetë qytetarët, që ofron të dhëna për qytetarët. Por është edhe pjesa tjetër që Këshilli Gjyqësor përmes nivelit të transparencës që e bën të mundur përmes këtyre dy platformave synon me rrit efikasitetin dhe transparencën e punës së gjykatave. Ne synojmë që përmes këtyre dy platformave, qytetarët tonë, personat që kanë të dhëna në gjykata për lëndën që vonohen, me i përdor këto mekanizma dhe me i përcjell vonesat… Në këtë mënyrë, ne presim që të rritet edhe besimi i qytetarëve në sistemin tonë gjyqësor përmes këtyre dy platformave”, thekson ai.
Nga momenti kur iniciohet lënda në gjykatë, çdo veprim që merret, qytetarët do të kenë mundësi që të informohen në kohë reale përmes dy platformave.
Ai demonstron procesin se si qytetarët mund të kyçen në këto platforma. Në platformën e të dhënave të hapura janë dy kategori të raporteve statistikore të gjykatave dhe për gjyqtarët.
“Platforma për përcjelljen e rasteve individuale dhe platforma për të dhënat e hapura janë të qasshme përmes portalit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Në këtë rast për prezantimin e tyre po përdorim portalin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, për shkak se janë të qasshme edhe përmes e-Kosova. Po fillojmë më platformën për të dhënat e hapura. Janë dy kategori të raporteve statistikore. Janë raporte statistikore të para përcaktuara ose të para-definuara dhe raporte dinamike që janë të dizajnuara për të dhënë statistika më të dhëna më të detajuara dhe specifike me statistika. Vazhdojmë me të dhënat e para-përcaktuara, janë shtatë kategori kryesore të raporteve, këtu jepen të dhëna statistikore pak më të përgjithshme, janë disa filtra ku mund të specifikohet dhe dizajnohet raporti dhe të zgjidhet periudha kohore për vitet që zgjidhen raportet”, shprehet ai.
Në këtë platformë mund të sigurohen të dhëna edhe në formë vizuale edhe përmes numrave, që tregojnë efikasitetin e punës së gjykatave.
“Në grafikë është pasqyruar numri i lëndëve të reja të pranuara në gjykatë që për këtë vitin 2022 dhe janë të pranuar 136 mijë e 948 lëndë nga 1 janari deri më sot. Këtu përfshihen të gjitha lëmenjtë e lëndëve në gjykata, lëndë për kundërvajtje, civile, ekonomike. Numri i lëndëve të vjetra të trashëguara nga viti i kaluar është 221 mijë, ndërsa janë zgjidhur deri më tash këtë vit 102 mijë lëndë. Grafiku më poshtë paraqet proporcionin e lëndëve të reja të pranuara dhe lëndë të zgjidhura. Ndërsa, më poshtë kemi edhe të dhëna individuale për numrin e lëndëve të pranuara dhe efikasitetin e kryerjes së lëndës në gjykata, me përqindje”, demonstron ai të dhënat në këtë platformë.
Edhe të dhënat në lidhje me rastet gjyqësore të qytetarëve mund të sigurohen shumë lehtë.
“Edhe mekanizmi për përcjelljen e rasteve individuale mund të kyçet përmes platformës të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, por edhe përmes e-Kosova, ku kërkohen të dhëna personale për të autentiku. Në këtë rast, po provojmë me të dhënat e mia personale për t’u qasur në e-Kosova dhe do të shohim se çfarë informata po na tregon për rastet e mia që mund t’i kem në gjykatë… Te platforma e ‘eKosova’ shkojmë në shërbimet në ‘eKosova’, zgjedhim butonin për gjyqësorin, pastaj e zgjedhim platformën për monitorimin e statutit të lëndëve individuale në gjykata. Në këtë rast, ‘eKosova’ do të na jep të dhëna për lëndët që mund të kemi në gjykata. Në këtë rast e kemi mesazhin se nuk mund të përdorim këtë aplikacion për shkak që nuk jemi të përfshirë në raste ligjore në gjykata”, tregon ai.
Po ashtu, në këtë platformë janë të renditura edhe rastet për dhunë në familje, trafikim me njerëz, të korrupsionit, dhunimi, krimi i organizuara dhe lëndë të tjera.
Gentiana Mahmuti nga MFK deklaron se qytetarët nuk do të kenë më nevojë të presin në gjykata për këto të dhëna.
“Tash e tutje qytetarët nuk kanë nevojë të shkojnë e të trokasin në dyert e gjykatave ose të presin korridoreve për të ditur se ku e kanë lëndën, kur do i caktohet seanca. Por, njëkohësisht edhe përmes platformës për të dhënat e hapura, qoftë studentët që janë duke bërë kërkime të ndryshme për sistemin gjyqësor të Kosovës, qoftë gazetarët që shkruajnë artikuj të ndryshëm nuk kanë nevojë më të kërkojnë këto informata nga gjykatat dhe të presin t’i marrin të gjitha, sepse janë të qasshme në mënyrë të anonimizuar në platformën e të dhënave të hapura”, përfundon Mahmuti.
Të dy platformat janë lansuar më 20 tetor në prezencën e kryeshefes ekzekutive të MCC-së, Alice Albgriht, e cila është personi i parë që e ka klikuar platformën. Investimi tre-milionësh, në të cilin është punuar për dy vjet, garanton qasje digjitale në informacione të gjyqësorit.