Lëndohet në aksident ish-kryetari legjendar i New York-ut, mbështetësi i çlirimit të Kosovës - Insajderi
×
  • Sport
  • Insporti

    Lëndohet në aksident ish-kryetari legjendar i New York-ut, mbështetësi i çlirimit të Kosovës

    Insajderi
    31 August 2025 - 23:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ish-kryetari legjendar i New York-ut, Rudy Giuliani, një mbështetës i fortë i çlirimit të Kosovës, është lënduar në një aksident automobilistik në New Hampshire në SHBA, sipas rojes së tij të sigurisë.

    Automobili i Giulianit u godit me shpejtësi të lartë nga pas, ndërsa po udhëtonte në autostradë, thuhet në një deklaratë të postuar në rrjetet sociale.

    Sipas deklaratës së rojes së sigurisë, Michael Ragusa, ai u diagnostikua me një thyerje në një vertebrë torakale, prerje dhe mavijosje të shumta, si dhe lëndime në krahun e majtë dhe këmbën e poshtme.

    Giuliani u bë i njohur si “Kryetari i Amerikës” pas udhëheqjes së New York-ut gjatë 11 shtatorit.

    Më pas u bë këshilltar dhe më pas avokat personal i Donald Trump.

    Kujtojmë se së fundit, Rudy Giuliani kishte acaruar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq meqë në Sarajevë i kishte kujtuar faktin se Kosova është shtet i pavarur dhe e quante Dodikun kriminel.

    Giuliani, nuk është i dëshiruar në Serbi, për shkak të mbështetjes së bombardimeve të NATO-s më 1999.

    Ai gjatë aksionit ajror më 1999 i kishte propozuar presidentit të atëhershëm amerikan, Bill Clinton, që për parandalimin e gjenocidit në Kosovë duhet të dërgojë edhe trupat tokësore. Ai edhe më vonë pati theksuar se serbët në Kosovë kanë kryer gjenocid.

    ”Holokausti nuk është një incident i izoluar. Paragjykimet, urrejtja dhe emocionet e çoroditura që shkojnë përtej njerëzisë dhe ligjit, janë duke ndodhur tash në Evropë. Mu për këtë Amerika duhet ta luaj rolin e vet për ta ndalë gjenocidin në Kosovë. Presidenti Clinton duhet ta ketë një plan rezervë dhe në Kosovë të dërgojë trupat tokësore nëse kjo është e nevojshme”, kishte deklaruar ai më 12 prill 1999, për New York Post.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark