Komuna e Skenderajt nuk ka arritur t’i kryej obligimet në raport me Leonora Jakupin, sipas kontratës së nënshkruar në fund të vitit 2014 për dhënie në shfrytëzim të pronës komunale.
Deri tek prishja e marrëveshjes mes Jakupit dhe Komunës së Skënderajt, ka ardhur pasi që familja boshnjake Radonçiq nuk ishte ndarë e kënaqur që për 62 metra katrorë që i posedon me letra t’i merrte 5 banesa, por kërkonte edhe 5 garazhe, shkruan “Zeri.info”.
Në ankandin publik të 27 nëntorit të vitit 2014 të komunës së Skenderajt për dhënie në shfrytëzim të dy parcelave prej nga 5 ari, Leonora Jakupi kishte dalë fituese pasi kishte ofruar kushte më të favorshme.
Me kontratën e nënshkruar me komunën, Leonora Jakupi ishte obliguar që të ndërtojë me kohë objektin, si dhe t’u sigurojë familjeve që ndodhën në ato prona të komunës, hapësirë banesore për aq metra katrorë sa posedojnë, ndërsa komuna e Skenderajt ishte obliguar që ta lirojë pronën dhe të mundësojnë investitorit ndërtimin pa problem.
Leonora Jakupi kishte paguar 40 mijë euro në komunën e Skenderajt në emër të pjesëmarrjes në ankand, si dhe 8 mijë euro për pajisje me leje ndërtimi.
Përveç Leonora Jakupit, e cila dëshironte të ndërtonte në pronën komunale ku kishte jetuar babai i saj, Qazim Jakupi, me të njëjtin ankand i ishin dhënë në shfrytëzim për 99 vjet edhe 5 ari tokë komunale Valon Malajt, ndërsa kishin mbetur edhe 5 ari të tjerë nga 20 ari sa gjithsej ishin në ankand, pasi që për atë pjesë nuk kishte pasur të interesuar.
Në ndërkohë, komuna kishte ftuar në takim të gjithë kryefamiljarët e shtëpive të ndërtuara në pronën komunale, para më shumë se 50 vjetëve dhe u kishte siguruar se ata do të përfitojnë banesa të reja aq sa posedojnë hapësirë me letra, në objektin që do ta ndërtonte Leonora Jakupi.
Por anëtarët e familjes boshnjake Radonçiq, Sefedini, Nuredini, Izeti, Safeti dhe e ëma e tyre Satka (Sofia) nuk ishin pajtuar. Ata kërkonin 5 banesa, një për nënën dhe katër të tjera për katër vëllezërit.
Por, marrëveshja ndërmjet familjes me kombësi boshnjake dhe Leonora Jakupit kishte dështuar.
E shkëputjen e kontratës ndërmjet Komunës dhe Leonora Jakupit e ka konfirmuar edhe nënkryetari i Komunës së Skënderajt, Fadil Nura.
“E gjeta më të udhës që ta shkëpus kontratën me Leonora Jakupin, sesa t’i largojë me dhunë Radonçiqët nga aty, nuk kishte zgjidhje tjetër. Me ligj ata kam mundur t’i largojë nga aty, pasi që investitori ua siguronte banimin derisa ta përfundojë objektin, por ata këmbëngulnin edhe për 5 garazhe. Prona është e komunës dhe gjithçka është e qartë dhe me ligj, por kjo ishte zgjidhja”, ka thënë nënkryetari Nura.
Nura ka shtuar se e ka ftuar Leonora Jakupin, ia ka shpjeguar situatën dhe në fund kanë arritur marrëveshje për shkëputje të kontratës.
“Pas nënshkrimit të kontratave janë krijuar rrethana të paparashikueshme të cilat e vështirësojnë përmbushjen e detyrimeve të dyanshme të palëve kontraktuese, rrethana këto që nuk mund të evitohen. Me këtë marrëveshje, komuna e Skenderajt obligohet që t’ia kthejë Leonora Jakupit 48 mijë euro që i ka paguar në emër të pjesëmarrjes në ankand dhe për leje ndërtimi, 20 mijë euro në vitin 2017 dhe 28 mijë euro në vitin 1918”, thuhet mes tjerash në marrëveshjen e nënshkruar për shkëputje të kontratës në mes të nënkryetarit të Skenderajt, Fadil Nura dhe Leonora Jakupit.
Ndryshe, dhënia në shfrytëzim e pronës komunale Leonora Jakupit kishte nxitur reagime të ashpra në Skenderaj, posaçërisht të ish-këshilltares komunale nga LVV, Ajnishahe Halimi, tani pjesë e PDK-së, e cila siguronte se prapa Leonores qëndronte Sami Lushtaku.