
Lëvizja për Bashkim, parti e cila është në koalicion qeverisës me Partinë Demokratike të Kosovës, ka kërkuar që deputetët e Kuvendit të Kosovës të mos e votojnë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. LB ka thënë se kjo marrëveshje duhet të shkojë në një arbitrazh ndërkombëtar marrë parasysh mospajtimet mes qeverisë dhe partive opozitare
“Lëvizja për Bashkim, duke qenë se e ka përcjellë hap pas hapi këtë proces dhe zhvillimet rreth tij, është e bindur se është në interesin e Kosovës dhe qytetarëve të saj që Marrëveshja për Demarkacion me Malin e Zi të mos ratifikohet dhe çështja të shkojë drejt një arbitrazhi ndërkombëtar. Prandaj, Lëvizja për Bashkim do të votojë kundër ratifikimit të kësaj Marrëveshjeje”, thuhet në një komunikatë për media të kësaj partie.
Mediat kanë raportuar të mërkurën se Kuvendi i Kosovës do të votojë për ratifikimin e kësaj marrëveshje më 1 shtator./Insajderi.com