Lëvizja për Bashkim ka kërkuar nga institucionet shtetërore të mos lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës.
“E drejta e votimit njihet për qytetarët që ruajnë dyshtetësinë, pra në këtë rast edhe për serbët e Kosovës që nëse kanë dy-shtetësi mund të votojnë edhe në zgjedhjet e Serbisë. Por,në rastin e Kosovës këto zgjedhje nuk përfillin asnjë normë të njohur ndërkombëtare në këto raste dhe LB konsideron se kjo shpërfillje nga Serbia e ka bazën në raportet e pazgjidhura në mes të dy shteteve, që pas mbarimit të luftës”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.
Zgjedhjet parlamentare serbe do të mbahen më 24 prill. Kryeministri i Kosovës deri më tani ka thënë disa herë se nuk Kosova nuk do të lejojë mbajtjen e tyre edhe në Kosovë.
“Nuk flitet për zgjedhje klasike të Serbisë në Kosovë, por vetëm për grumbullim të votave nga serbët në Kosovë, të cilët kanë dyshtetësi. Sepse edhe në të gjitha vendet tjera, qytetarët që kanë dyshtetësi, kanë të drejtë që të votojnë. Këtë të drejtë edhe ne ua kemi siguruar me Kushtetutë”, ka thënë Mustafa të shtunën.
Por, OSBE ditë më parë ka njoftuar se do ta ndihmojë procesin e zgjedhjeve parlamentare serbe në Kosovë
OSBE, me anë të një komunikate për media, ka njoftuar se “do të ndërmarrë një operacion të grumbullimit të votave në Kosovë për t’iu mundësuar personave me të drejtë vote qasje në zgjedhjet parlamentare serbe të datës 24 prill 2016”.