Lëvizja Vetëvendosje dhe organizata Dylberizmi kanë ushtruar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ndaj Koalicionit për Familjen.
Lidhur me këto ankesa, Koalicioni për Familjen shpreh shqetësimin e tij të thellë, ku siç e quajnë ata Lëvizja Vetëvendosje dhe organizata Dylberizmi, po bëjnë përpjekje për të ushtruar presion mbi institucionet dhe për të ndikuar në vendimet e PZAP.
Koalicioni për Familjen ka ftuar qytetarët që të bashkohen në këtë kauzë dhe të qëndrojnë të palëkundur në mbështetjen e familjes si shtylla kryesore e shoqërisë.
“Këto përpjekje synojnë të minojnë vlerat tradicionale të familjes dhe të shoqërisë sonë, duke favorizuar interesa që bien ndesh me parimet e një shoqërie të shëndetshme dhe të qëndrueshme.
Vendimet e fundit të PZAP-it, të cilat shkojnë në favor të një partie në pushtet dhe të organizatës Dylberizmi, janë tregues i një koordinimi të qartë politik dhe ideologjik kundër kauzës sonë. Këto vendime, të mbështetura edhe nga organizata të tjera si CEL-Kosova, rrezikojnë themelet e familjes si institucion jetik për mirëqenien e shoqërisë.
Pavarësisht këtyre pengesave dhe sfidave të qëllimshme, ne mbetemi të palëkundur në përkushtimin tonë për të mbrojtur vlerat e familjes dhe për të siguruar që ato të mbeten të pacenueshme. Asnjë ankesë apo vendim i motivuar politikisht nuk do të na ndalojë në përpjekjet tona për të mbrojtur dinjitetin dhe integritetin e familjes.
Ftojmë të gjithë qytetarët që të bashkohen me ne në këtë kauzë të drejtë dhe të qëndrojnë të palëkundur në mbështetjen e familjes si shtylla kryesore e shoqërisë”, thuhet në reagimin e Koalicionit për Familjen.