Ish -komandanti Salih Mustafa-Cali, është dënuar me 26 vjet burg nga Gjykata e Hagës.
Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka thënë se ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa – Cali, sot mori një dënim të rëndë dhe të pamerituar.
Tutje, Aliu ka shtuar se është një padrejtësi e madhe ndaj gjithë kombit.
“Plot 26 vite dënim, për njeriun i cili i doli në mbrojtje vendit të tij. Kjo është një padrejtësi e madhe ndaj gjithë kombit tonë”, ka shkruar Ministri Liburn Aliu.
Reagimi i plotë:
Sot mori një dënim të rëndë dhe të pamerituar ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa – Cali, i cili luftoi për çlirimin e vendit nga pushtimi serb. Ne kemi qenë kundër Gjykatës Speciale kur themelimi i saj u propozua në Kuvend atëherë, dhe sot po kuptohet, fatkeqësisht, se kishim të drejtë. Plot 26 vite dënim, për njeriun i cili i doli në mbrojtje vendit të tij. Kjo është një padrejtësi e madhe ndaj gjithë kombit tonë.
Lavdi luftës së pastër e të shenjtë të UÇK-së.
Liri për çlirimtarin, që gjithë jetën e tij e vuri në shërbim të luftës për liri! Liri për komandant Calin!