Udhëheqësit evropianë ishin mbledhur të hënën në mëngjes për të diskutuar krizën e emigrantëve teksa mijëra refugjatë kanë mbetur në kampet e kufirit te Greqisë me Maqedoninë, të dëshpëruar për bllokimin e kufijve.
Samiti në Bruksel u mblodh me qëllim që të shtyjë Turqinë që të trajtoj flukset e refugjatëve nga vendet e shkatërruara nga lufta, të tilla si Siria dhe t’i dalë në ndihmesë Greqisë, e cila ka qenë e përmbytur me emigrantë.
Mbyllja e të ashtuquajturës rrugë e Ballkanit është gjithashtu në rendin e ditës, një lëvizje e cila ka zgjuar pakënaqësi tek organizatat e të drejtave të njeriut në Evropë.
Midis 10.000 deri 13.000 refugjatë dhe emigrantë kanë ngritur kampe aktualisht në Greqi duke shpresuar që të kalojnë kufirin për në Maqedoni teksa krerët e BE-së takohen të hënën, tregon zëdhënësi i UNHCR-së Babar Baloch.
Ai tha se pjesa më e madhe janë gra dhe fëmijë.
“Ata janë duke jetuar në kushte vërtet të tmerrshme, kudo që shikoni përreth ka fëmijë”, deklaroi Baloch.
Kapaciteti i kampit Idomeni ishte për rreth 2,000 mijë persona, por Baloch thotë që ky vend është ngarkuar shumë – me higjienën që mbetet një “problem i madh”, duke parë mungesën e kanalizimeve dhe tualeteve.
“Kjo është me të vërtetë një krizë shumë e qartë humanitare këtu në pikën kufitare Greqi-Maqedoni dhe gjërat mund të shkojnë edhe më keq në qoftë se nuk ka zgjidhje për këta njerëz,” tha zëdhënësi i UNCHR-së.