Pas dy vite e gjysmë në arrati, Visar Avdyli u arrestua në Ferizaj të Kosovës përgjatë ditës. Ai po kërkohej nga autoritetet ndërkombëtare, saktësisht nga Norvegjia (shteti ku dyshohet të kenë kryer krime).
Visar dhe Valon Avdyli, vëllai i tij, u akuzuan për vrasjen e Hamse Hashi Adan, 20 vjeçar, shtetas i Norvegjisë, në Mortensrud, qytet në shtetin respektiv, shkruan Gazeta Insajderi.
Nga ajo çka thuhet në mediat norvegjeze, Hamse u vra në shkollë më 7 tetor 2021. Ai pësoi plagë pasi u sulmua me armë zjarri dhe u dërgua në spital me lëndime kritike. Viktima vdiq të nesërmen, pasi nuk arriti t’iu mbijetojë plagëve.
Visar Avdyli 34-vjeçar, së bashku me vëllain e tij të madh, Valon Avdyli 37-vjeçar, ishin në kërkim ndërkombëtar për vrasjen që nga tetori i vitit 2021.
Të dy vëllezërit kosovarë kanë qenë më parë të dënuar për terrorizëm.
Në vitin 2016, dy vëllezërit u bënë të parët në Norvegji që u dënuan sipas seksionit të ri të terrorizmit.
Valon Avdyli u dënua për pjesëmarrje në organizatën terroriste IS, ndërsa Visar Avdyli u dënua se kishte tentuar t’i ofronte mbështetje materiale IS-it përmes vëllait të tretë, Egzon Avdylit.
Në të majtë është Valon Avdyli, vëllai i Visar Avdylit i cili u arrestua sot në Ferizaj
Në aktgjykimin ndaj Valon Avdylit, Gjykata e Lartë atje thotë se Avdyli ka ardhur në Norvegji si pesëvjeçar dhe se është rritur në Bærum. Ai ka diplomë bachelor nga kolegji i marketingut dhe, sipas vendimit, u bë praktikues i fesë myslimane në vitin 2011. Më pas thuhet se ai ishte betuar për besnikëri ndaj Shtetit Islamik.
Egzon Avdyli ishte zëdhënës i Umetit të Profetit para se të udhëtonte për në Siri, ku vdiq duke luftuar për IS-in në prill të 2014-ës.
Policia e Kosovës përgjatë së mërkurës kanë njoftuar se njesiti ‘FAST Kosova’ kanë arrestuar në Ferizaj Visar Avdylin.
“Policia e Kosovës, gjegjësisht njësiti (Fast Kosova), me mbështetje të Njësisë Speciale Operative, sot më 21.02.2024, pas një pune intensive në terren, kanë arritur të lokalizojnë dhe më pas të arrestojnë në Ferizaj, një shtetas kosovar i cili ishte i kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e Policisë.
“Personi i arrestuar, me inicialet V.A., i lindur në vitin 1989, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet norvegjeze për veprën penale “vrasje” të kryer në Oslo më 07.10.2021. Personi i arrestuar përveç shtetësisë kosovare, posedon edhe shtetësi norvegjeze, ndërsa në momentin e arrestimit të njëjtit i është gjetur një armë zjarri si dhe disa pasaporta të shteteve të tjera të cilat me gjase janë te falsifikuara”.
Ndaj Visar Avdylit, sipas policisë, do të vazhdojnë procedurat e parapara për raste të tilla. /Insajderi.org/