
Ish-kryeministri dhe kreu i PD-së, Sali Berisha, është shpallur “non grata” nga Britania e Madhe, për shkak të lidhjeve me Damir Fazlliç, biznesmenin boshnjak të hetuar në Bosnje dhe Kroaci për pastrim parash, kontrabandë cigaresh.
Berisha i ka hedhur poshtë pretendimet e shtetit britanik, por përtej kësaj, nëse do të shkohet në këtë rrjedhë, “non grata” duhet të shpallen edhe shtetas të tjerë shqiptarë, politikanë dhe biznesmenë.
Nëse do mbahet një standard, “non grata”, nga Britania e Madhe duhej të ishin edhe kryeministri Edi Rama, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, Lulzim Basha dhe të tjerë.
Një person tjetër dhe jo pak i panjohur që ka lidhje me biznesmenin Damir Fazlliç është edhe Erion Isufi, kunati i Lulzim Bashës.
Erion Isufi
Kjo është faktuar tashmë, por Erion Isufit nuk i është ndaluar hyrja në Britaninë e Madhe.
Isufi ka pasur lidhje të ngushta me Fazlliç, pasi ka qenë ortak në disa kompani fantazmë të krijuara nga ai.
Kujtojmë se që në javën e dytë të pushtetit të demokratëve në shtator të vitit 2005, Damir Fazlliç krijoi me urgjencë tri firma të ndryshme brenda dy ditëve, ndërsa statuti dhe objektivi i këtyre tri firmave është i njëjtë, dhe administratori shqiptar i këtyre tri firmave ka qenë Erion Isufi, kunati i Lulzim Bashës që në atë kohë ishte Ministër i Transporteve.
Më 19 nëntor të vitit 2005, biznesmeni Damir Fazlliç dhe administratori Erion Isufi regjistruan dy firma të ndryshme: “SRF DEVELOPMENT” dhe “VIRTU ACQUISITONS”.
Një ditë më vonë Fazlliç dhe Isufi nuk vonuan dhe hapën edhe një firmë të tretë të cilën e quajtën “CROWN ACQUISITIONS”.
Erion Isufi ishte administrator i tri firmave, të cilat kishin për pronar shtetasin Damir Fazlliç, i hetuar në vendin e tij e më gjerë për evazion fiskal dhe mashtrime financiare.
Erion Isufi, kunati i Lulzim Bashës, që “kërcet dhëmbët”, për “non gratat”, ka pasur lidhje të ngushta biznesi me Damir Fazlliçin. Konfirmimi ka ardhur edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, në Prokurorinë e Tiranës.
Prokuroria ka skanuar llogaritë bankare në Shqipëri të Damir Fazlliçit dhe të bashkëpunëtorëve të tij, siç është Erion Isufi.
Rezulton se Erion Isufi si administrator i “Crown Acquisitions”, firmë e autorizuar te “SRF Developments”, ka dy llogari bankare një në lekë dhe një në euro.
“Crown Acquisitions”, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar me NIPT, K72001008V me kapital themeltar 100,00 lekë, regjistruar me vendim gjykate numër 34011, datë 20.09.2005, me objekt aktiviteti, projektim, ndërtim në zhvillim urban të ambientit, shitblerje e ndërmjetësim, të të gjitha llojeve të pasurive të paluajtshme, shërbime konsulence, tregim, import-eksport, etj. Përfaqësues ligjor dhe ortak i vetëm është shtetasi boshnjak Damir Fazlliç, ndërsa administrator i vetëm, Erion Isufi.
“SRF Developments” me NIPT, K52301012K dhe kapital themeltar 100,000 lekë, ka si ortak të vetëm shtetasin boshnjak Damir Fazlliç, është themeluar me 19.09.2005. Personat e autorizuar për të kryer veprime janë Erion Isufi që nga 16.09.2005 dhe Damir Fazlliç.
Veprime bankare në euro janë kryer nga data 1 shtator 2005-deri në 31 dhjetor 2006, transferta që në total kapin shumën 72 327 euro, transferta debitore në shumën 46 566 euro, derdhje cash 20 000 euro, tërheqje cash 70 000 euro.
Erion Isufi ka hapur një llogari individuale, depozitë me afat 6 muaj, që nga 30.08.2006 janë depozituar 2 497 337 lekë, janë tërhequr cash, 921 800 lekë, dhe pagesa me kartë 283 158 lekë. Gjendja me 17.10.2008 është 197 428 lekë.
Isufi ka edhe një depozitë tjetër me afat 6-mujor në euro. Me datë 13.06.2008 ka një trasnfertë mbërritje nga Aurela Isufi në shumën 25 000 euro. Kjo shumë është tërhequr me datë 23.06.2008 nga Erion Isufi. Ky i fundit ka bërë një tjetër derdhje ne shumën 44 000 euro për pagesën e një apartamenti në Golem që e ka në pronësi me Aurela Isufin.
Firmat e Damir Fazlliç në Shqipëri
Firma: “Crown Acquisitions”, e regjistruar më 20 shtator të vitit 2005
Administrator: Erion Isufi (deri më 4 qershor 2007)
Më 9 korrik 2007 firma i shitet kompanisë qipriote: “Altaria Research Limited”, e regjistruar në emër të Fazlliç
Adresa: Rr. Shilasi Dishnica, Pallati 2/4
Firma: “Virtu Acquisitions”, e regjistruar më 19 shtator 2005
Administrator: Erion Isufi
Adresa: Rr. Shilasi Dishnica, Pallati 2/4
Më 14 nëntor 2005 dy shtetas gjermanë (Abdilgafar Ramadani dhe Jurgen Rober) blenë 55 për qind të aksioneve, ndërsa adresa e firmës u zhvendos në selinë e re te Dëshmorët e Kombit, Kulla 2, kati VIII(E njëjtë me DF TRADE LIMITED).
Firma: “SRF Developments”, e regjistruar më 19 shtator 2005
Administrator: Erion Isufi
Adresa: Rr. “Shilasi Dishnica”, Pallati 2/4
Më 12 dhjetor 2005 shtetasi gjerman Abdilgafar Ramadani bleu 50 për qind të aksioneve, ndërsa adresa e firmës u zhvendos në selinë e re te “Dëshmorët e Kombit”, Kulla 2, kati VIII(E njëjtë me DF TRADE LIMITED).
Firma: “DF Trade Limited”, e regjistruar më 9 janar 2006
Administrator: Damir Fazlliç
Adresa: Bulv. “Dëshmorët e Kombit”, Kulla 2, kati VIII
Firma: ALPHA, e regjistruar më 10 shtator 2007
Administrator: Damir Fazllic
Adresa: Bulv. “Bajram Curri”, pranë Aviacionit
Firma: Rompetrol
Në pronësi të një grupi ortakësh shqiptaro-rumunë
Zoti Fazlliç është zgjedhur në vitin 2007 anëtar i këshillit mbikqyrës/CNA.al