Tri punët kryesore që janë nën menaxhimin e Ministrisë së Drejtësisë, po dështojnë.
Përpilimi i ligjeve, menaxhimi me burgjet dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore – janë një tmerr për dikasterin që udhëhiqet nga Albulena Haxhiu.
Gazeta Insajderi
Janë bërë rreth katër vite që kur Albulena Haxhiu udhëheq me Ministrinë e Drejtësisë.
Për këto vite, brenda dikastereve që drejtohen nga njëra prej zyrtareve më të larta të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë pasur jo rrallë dështime të mëdha.
Zyrtarisht kjo ministri ndër detyrat më të rëndësishme që i ka janë përpilimi i ligjeve, menaxhimi me burgjet e Kosovës dhe menaxhimi me institucione të tjera që kanë të bëjnë me fushën e drejtësisë.
Një pjesë prej ligjeve të përpiluara nga Ministria e Drejtësisë, kanë rezultuar që janë bërë në atë formë që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Dëshmia më e fundit për një gjë të tillë ishte vendimi i 25 qershorit, ku Gjykata Kushtetuese ë tërësi Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, e që ka qenë njëri ndër ligjet kryesore të proklamuara nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në një njoftim për vendimin, Kushtetuesja ka thënë se pesë nene të këtij ligji bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës.
“Gjykata ka vendosur që (i) njëzëri, të deklarojë kërkesën e pranueshme; dhe (ii) të konstatojë, me tetë (8) vota për dhe një (1) votë kundër, që pika 2.1 e paragrafit 2 të nenit 2 (Fushëveprimi) në lidhje me paragrafin 2 të nenit 34 (Shqyrtimi në shkallën e parë) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës dhe paragrafët 1 dhe 2 të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (iii) të konstatojë, me tetë (8) vota për dhe një (1) votë kundër, që pika 2.2 e paragrafit 2 të nenit 2 (Fushëveprimi) në lidhje me paragrafin 3 të nenit 22 (Periudha e verifikimit të pasurisë) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (iv) të konstatojë, me gjashtë (6) vota për dhe tri (3) vota kundër, që pika 1.1 e paragrafit 1 të nenit 10 (Përbërja e Komisionit Mbikëqyrës dhe Kompensimi) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me nenin 106 [Papajtueshmëria] të Kushtetutës; (v) të konstatojë, me tetë (8) vota për dhe një (1) votë kundër, që pika 1.2 e paragrafit 1 të nenit 10 (Përbërja e Komisionit Mbikëqyrës dhe Kompensimi) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 136 [Auditori i Përgjithshëm i Kosovës] dhe paragrafët 1 dhe 2 të nenit 137 [Kompetencat e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës] të Kushtetutës; (vi) të konstatojë, me gjashtë (6) vota për dhe tri (3) vota kundër, që pika 1.4 e paragrafit 1 të nenit 10 (Përbërja e Komisionit Mbikëqyrës dhe Kompensimi) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 132 [Roli dhe Kompetencat e Avokatit të Popullit] dhe paragrafin 3 të nenit 134 [Kualifikimi, Zgjedhja dhe Shkarkimi i Avokatit të Popullit] të Kushtetutës; dhe (vii) të shpallë të pavlefshëm, me pesë (5) vota për dhe katër (4) vota kundër, në tërësinë e tij, Ligjin nr. 08/L- 121 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme”, thuhej në njoftim.
Derisa ligjet po zhvleftësohen nga organi më i lartë juridik në vend, një dështim tjetër është edhe menaxhimi me burgjet e vendit.
Ikja e Faton Hajrizit, njërit prej të burgosurve më të famshëm në Kosovë, ka ngjallur reagime të shumta në vend.
Ai arriti që t’i ik nga burgu i Smrekonicës paraditen e së shtunës.
Kjo ishte arratisja e nëntë nga burgu e Faton Hajrizit.
Ikje nga drejtësia e bëri në fillim të qershorit edhe i dënuari tjetër me 25 vite burg për nxitje të vrasjes së ish-policit, Triumf Riza.
Ani se kemi hyrë në 10 ditëshin e dytë të muajit korrik, Enver Sekiraqa ende gjendet në arrati.
Derisa, bujë të mëdha ditëve të fundit bëri edhe arratisja e Marko Roshiq, një nga katër të dënuarit për vrasjen e politikanit serb të veriut Oliver Ivanoviq.
Arratisja e tij u konfirmua zyrtarisht edhe nga institucionet vendore, por që deri më tani askush nuk ka dhënë llogari për një gjë të tillë.
Njohës të fushës së drejtësisë, po e quajnë skandal tjetër edhe djegien e Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Ky institucion u dogj tri herë brenda periudhës sa me ministrinë e Drejtësisë udhëheq Albulena Haxhiu.
Rasti i fundit i djegies së këtij instituti ndodhi para pesë ditësh.
Ndërsa, e para e ministrisë së Drejtësisë, po vazhdon që ta akuzojë opozitën për pengim të shumë punëve të ministrisë që ajo e udhëheq.
/Insajderi.org/