Njomza Salihi
Deputetët kanë dështuar t’i sigurojnë votat e mjaftueshme për ta kaluar Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike, në kohën kur bizneset janë buzë falimentimit dhe ekonomia e vendit drejt fundit për shkak të koronavirusit të ri. Pavarësisht kësaj përfaqësuesit e popullit i kanë marrë mëditjet për pesë seancat e kaluara.
Një deputet i Kosovës përpos pagës bazë të cilën e ka 1 mijë e 547 euro, i ka marrë edhe rreth 300 euro mëditje për pesë seancat në të cilat ka dështuar të kalojë Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike, që pritet të votohet sot, në tentativën e gjashtë.
Gazeta Insajderi mëson se nëse deputetët janë pjesëmarrës në të gjitha seancat përgjatë një muaji, marrin honorar në vlerë të 240 euro.
Rrjedhimidht për pesë seancat ku ka dështuar të votohet pakoja për rimëkëbjen e ekonomike, secili nga deputetët pjesëmarrës në to, ka marrë afërësisht nga 300 euro.
Pavarësisht se institucionet u sfiduan nga kriza e shkaktuar nga përhapja e koronavirusit dhe vendosja e kufizimeve të lëvizjes së qytetarëve, të cilat patën efekt negativ në ekonomi, të gjithë deputetët i morën të plota edhe rrogat.
Përgjatë muajve mars dhe prill – kur qytetarët u “shpërblyen” me vetëm nga 130, respektivisht 170 euro nga Pakoja Emergjente – deputetët i kanë marrë plot 775 mijë e 864 euro paga dhe kompensime, ka konfirmuar Kuvendi i Kosovës.
Megjithëkëtë, deputetët nuk kanë pasur vullnet që ta çojnë përpara Projektligjin për rimëkëmbjen e vendit.
Për pasojë, Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti ka ndarë 87 milionë euro për zbatimin e masave të Planit të rimëkëmbjes, për të cilat nuk nevojiten ndryshimet ligjore.
Me këto ndarje janë shpenzuar të gjitha fondet e parapara për programin e rimëkëmbjes, ndërsa për mjete të tjera shpresohet te Projektligji për rimëkëmbje dhe disa marrëveshje ndërkombëtare.
Projektligj është miratuar nga Qeveria e Kosovës më 22 korrik dhe synohet që përmes politikave fiskale dhe monetare të ndihmohen bizneset, rrjedhimisht edhe ekonomia e përgjithshme e vendit.
Pakoja për rimëkëmbje ekonomike kap vlerën e 385 milionë eurove, por për hyrjen në funksion të këtyre mjeteve, duhet të votojnë deputetët e Republikës.
Çka parasheh Projektligji për rimëkëmbje ekonomike?
Në Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike thuhet se “Fondi Kreditor Garantues i Kosovës, (FKGK) autorizohet të lëshojë garanci kreditore me përqindje të mbulesës nga 50 deri në 80 për qind”.
Fondi Kosovar për Garanci Kreditore është institucion i pavarur dhe i qëndrueshëm, që lëshon garanci institucioneve financiare për të mbuluar rrezikun për kreditë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Gjithashtu, kontributpaguesit mund t’i tërheqin10 për qind të kursimeve pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.
Më pas, mjetet e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore mund të përdoren për të gjitha kategoritë e shpenzimeve, me qëllim të realizimit të rimëkëmbjes ekonomike, përjashtuar kategorinë e pagave dhe shtesave.
Si dhe me qëllim të rimëkëmbjes ekonomike, Ministria e Financave mund të shtyjë afatin e pagesës së tatimeve deri në dy vjet nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Kriteret për shtyrjen e afateve përcaktohen nga Ministria e Financave.
Për bizneset që nuk arrijnë të bëjnë pagesën e deklaratës tatimore nuk shqiptohet ndonjë ndëshkim, me kusht që pagesa bëhet në tremujorin e parë të vitit 2021.
Ky ligj – nëse votohet në Kuvendin e Kosovës – do të mbetet në fuqi deri më 31 dhjetor 2021. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.
Përfaqësuesit e bizneseve në vazhdimësi u kanë bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që sa më shpejtë të ndihmojnë në rimëkëmbjen ekonomike, pasi që çdo vonesë, sipas tyre, do të sillte probleme më të mëdha për bizneset dhe rrezik të falimentimit të tyre.
Ku do të sigurohem paratë për Pakon e rimëkëmbjes?
Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, ka thënë se nuk janë siguruara të gjitha fondet e Pakos së rimëkëmbjes ekonomike.
Prandaj, sipas tij, disa fonde do të sigurohen përmes granteve, pjesa tjetër nga marrëveshjet ndërkombëtare që presin ratifikimin e kuvendit si dhe një pjesë e mjeteve do të merret nga Fondi i Privatizimit.
Përveç Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike, që pritet të miratohet në Kuvendin e Kosovës, qeveria e kaluar e udhëhequr nga Albin Kurti kishte miratuar Pakon emergjente fiskale, në vlerë prej rreth 180 milionë euro.
Këto mjete ishin ndarë për të zbutur problemet ekonomike dhe sociale që janë shkaktuar nga masat që Qeveria e Kosovës ka marrë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit./GazetaInsajderi.org