Duke i uruar minatorët për ligjin e ri, ai tha se që nga sot hapet një epokë e re për “Trepçën”, për ta mbajtur atë si një tërësi unike dhe njëkohësisht, për t’i hapur perspektivë zhvillimore.
“Ligji për ‘Trepçën’ nuk ka asnjë konotacion politik. Përkundrazi, konotacioni i tij është tërësisht ekonomik, i cili i hapë perspektivë kësaj ndërmarrjeje për t’u transformuar në një shoqëri aksionare, e cila do t’i nënshtrohet ekonomisë së lirë të tregut. Kjo ndërmarrje deri tani është mbajtur falë këtyre minatorëve, të cilët, ligji i parasheh si bashkëpjesëmarrës të transformimit”, theksoi shefi i parlamentit.
Nëpërmjet këtij ligji, shtoi Veseli, “Trepçës” i ofrohet perspektivë për rritjen e vlerës së prodhimit të saj, nga një produkt bazë minerar, në një produkt të avancuar, duke përmirësuar kështu edhe bilancin tregtar të Kosovës.
Kreu i Kuvendit theksoi se ky është vetëm fillimi dhe se pas hyrjes në fuqi të ligjit, do të ndërmerren shumë hapa të tjerë institucionalë, në funksion të zhvillimit dhe ecjes përpara.
Drejtori i Ndërmarrjes “Trepça”, Ahmet Tmava, tha se ndihen më fat që janë pjesë shënimit të kësaj epoke të re. Ai tha se tani pritjet e qytetarëve janë të shumta dhe se duhet të merret përgjegjësi që ky aset nacional të vihet në funksion të zhvillimit të vendit, rritjes së mirëqenies së minatorëve dhe hapjes së vendeve të reja të punës.