
Ligji për Zgjedhjet i cili shkaktoi tensione mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani ditë më parë pritet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese. Kështu deklaroi Avokati i Popullit, Naim Qelaj përmes konferencës së mbajtur sot, shkruan Insajderi.
Teksa po fliste para gazetarëve, Qelaj konfirmoi se tashmë për këtë çështje, letra i është dërguar presidentes së vendit.
“Unë kam njoftuar të gjithë të pranishmit, në mënyrë publike që jemi duke e shqyrtuar mundësinë e nënshtrimit të vlerësimit të kushtetutshmërisë të këtij ligji në raport me listat zgjedhore të subjekteve politike ngase logjikisht si dhe në aspektin praktik Avokati i Popullit konsideron se është e domosdoshme…”, tha ai, duke theksuar se ky ligj ka kaluar në seancë pa një diskutim publik dhe pa e përfshirë një aspekt të rëndësishëm, atë të barazisë gjinore.
Qelaj potencoi se i kanë dhënë mundësinë Qeverisë dhe Kuvendit që deri në afatin e ushtrimit të kërkesës në kushtetutshmërisë të bëhet amandamentimi i Ligjit.
Pos kësaj çështje, Avokati i Populli përmendi edhe një sërë situatash me të cilat është ballafaquar Kosova, theks të veçante i dha çështjes së sigurisë.