Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për mësuesin e arteve pamore të shkollës “Sotir Gura”, Bledar Duro, i cili akuzohet për ngacmim seksual të dy nxënëseve të klasës së nëntë, pjesëmarrëse në kursin e pikturës.
Sipas hetimeve, Duro ka ngacmuar vajzat përmes mesazheve në aplikacionin “WhatsApp” për më shumë se dy muaj, me një prej tyre duke shkëmbyer mesazhe ngacmuese më të shpeshta.
Avokati i Duro, Kristi Kocibelli, ka kundërshtuar arrestimin, duke e cilësuar të pavlefshëm dhe ka kërkuar një masë më të butë, por kërkesa nuk është pranuar nga gjykata.
Përmes deklaratave, Kocibelli ka theksuar se Duro ishte në efektin e alkoolit kur dërgoi mesazhet dhe se ai ka qenë i shtruar në spital për trajtim ndaj varësisë nga alkooli, një fakt që, sipas tij, nuk justifikon veprimin, por mund të ndikojë në dënim.
“Gjykata e ka vlerësuar të ligjshëm arrestin në flagrancë, u dha masa e sigurisë arrest me burg. Gjithë pretendimet që kam paraqitur në cilësinë e provës nuk u morën parasysh, pavarësisht faktit se neni 230 i Kodit të procedurës penale e ndalon gjykatën për këtë mase ndaj personave të alkoolizuar. Kemi paraqitur me shume se 6 prova që kanë të bëjnë me vërtetimet e spitalit të Traumës, ku është shtruar me shume se tre herë, kartela e spitalit të Korçës ku ka qenë i shtruar, bashkëshorten e ka infermere dhe e ka ndihmuar. Në gjykimin tim, mendoj se e vetmja shkelje që ka kryer ky shtetas është kundërvajtje administrative, komunikimi mësues – nxënës nuk duhet të prekë dinjitetin e nxënëses. Mund të merrej një masë nga drejtoria e shkollës por kurrsesi që komunikimi që mund të ketë një person në rrjete sociale në vetvete nuk përbën vepër penale, sidomos ajo e ngacmimit seksual.
Bledar Duro ka pranuar faktin se ka qenë i alkoolizuar, ka qenë në efektin e alkoolit kur ka bërë ato mesazhe.
Ai vuante nga viti 2014 nga alkooli, shtrimi i fundit në maj, disa ditë para se të arrestohej, ka qenë në komunikim me mjeken për terapi.
Edhe në gjykimin tim, diskutohet fakti i vazhdimësisë së profesionit të tij si mësues, ai shprehet se kur qëndronte në shkollë, nuk konsumonte alkool. Institucionet kanë qenë të njohura me këtë fakt. Provat qe paraqita ndaj gjykatës mendoj se duhet të jepet një masë tjetër sigurie. Bledar Duro shprehu pendesë, është mësues prej 25 vitesh, ka qenë në disa shkolla në qytetin e Korçës, në gjithë këto vite ka respekt të jashtëzakonshem nga nxënësit e tij. Ai është piktor, ka nxjerrë me mijëra punime”, tha avokati.