Kreu i Listës IDEAL, Nuredin Lushtaku së bashku me liderët e Nismës Social Demokrate, Fatmir Limajn – Komandant Çelikun dhe kandidatin për kryeministër, Ramush Haradinaj, njoftuan zyrtarizimin e koalicionit të ri politik që do të shkojë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Ky koalicion, i cili përfshin listat e partive të ndryshme, është përforcuar me prurjen e Listës IDEAL, një subjekt që mban në qendër vlerat kombëtare dhe angazhimin për mbrojtjen e trashëgimisë historike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një fjalim të mbajtur gjatë Konventës Politike të Nismës Social Demokrate, kryetari i Listës IDEAL, duke prezantuar kandidaturën e tij për deputet të Kuvendit të Kosovës, theksoi rëndësinë e këtij koalicioni, që përfaqëson figura të njohura të luftës për çlirimin e Kosovës, të cilat iu bashkuan thirrjes së Komandantit Legjendar, Adem Jashari.
Gjithashtu, gjatë fjalimit, u njoftua edhe emri i Lavdije Deliut, e cila do të kandidojë për deputete nga Lista IDEAL. Kreu i Listës IDEAL apeloi për mbështetje nga të gjithë aktivistët dhe mbështetësit e këtij subjekti, duke besuar në forcimin e koalicionit për zgjedhjet e ardhshme.
Kryeministri në ardhje, Ramush Haradinaj, dhe Fatmir Limaj shprehën gjithashtu angazhimin e tyre për një fushatë të suksesshme, duke theksuar se ky koalicion është i gatshëm të sjellë ndryshimin e kërkuar nga qytetarët e Kosovës. Ata e quajtën këtë koalicion një mundësi për të përforcuar ndihmën për qytetarët dhe për të mbrojtur arritjet e Kosovës në fushën e pavarësisë dhe sovranitetit.
Kreu i Listës IDEAL falënderoi të gjithë mbështetësit për përkrahjen dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar në këtë rrugëtim politik, duke shprehur besimin se ky koalicion do të ketë një fitore të madhe në zgjedhjet e 9 shkurtit.