Në seancën e jashtëzakonshme që po mbahet në Kuvend për arrestimin e Haradinajt në Francë, kreu i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka thënë se ai është ndaluar për çështje politike.
Ai ka thënë se tashmë çështjet e drejtësisë për Ramush Haradinajn kanë përfunduar, andaj arrestimi i tij në Francë, sipas tij, është bërë me shkaqe politike.
“Çështja e Haradinajt duhet të trajtohet këtu, në Kuvend ashtu siç duhet trajtuar edhe integriteti dhe dinjiteti i Kosovës, mbrojtja dhe trajtimi i qytetarëve të Kosovës si dhe raporti ynë me shtetin francez”, ka thënë Limaj.
Limaj ka shtuar se arrestimi i Haradinaj në Francë, nuk duhet të trajtohet si çështje personale, por si çështje shtetërore.
“Serbia po shpif, ndërton raste të paqena, për ta rrezuar këtë vend”, ka thënë Limaj, duke thënë se Kosova nuk po bën asgjë për ta ndërruar qasjen në raport me Serbinë, shkruan Express.
“Temë sot në Kuvend duhet të jetë se si do t’i qasemi ne Serbisë. Duhet të ndërpritet forma e dialogut”, ka shtuar Limaj.
Ai gjithashtu tha se Haradinaj do të kthehet në Kosovë, por jo me meritën e autoriteteve në Kosovë.
“Ai do të kthehet në Kosovë falë sakrificës dhe luftës së tij të pastër”, ka shtuar ai.