
Për Fatmir Limajn, kryetarin e Nismës, paraqitja e ish-kryeministrit dhe ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit në intervistën e mbrëmshme, nuk ishte thjesht një moment televiziv – ishte përmallim.
Para mediave, Limaj tha se mesazhi i Thaçit ishte i jashtëzakonshëm.
“Mesazhet e Thaçit ishin të jashtëzakonshme. Ai foli me zemër, me qartësi dhe me një peshë që vjen vetëm nga dikush që ka dhënë gjithçka për këtë vend. Për ne, për patriotët e këtij vendi, ishte një moment reflektimi dhe krenarie, por edhe një ndjesi e thellë malli dhe trishtimi. Mbrëmë ndjeva gjithçka njëherësh.
Limaj kujtoi me emocion shokët e tij të luftës e të politikës – Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe Kadri Veselin – të cilët së bashku me Thaçin ndodhen në Hagë.
“Ata duhet të ishin këtu, mes nesh,” tha ai.
Duke iu referuar një prej mesazheve më të forta të intervistës, Limaj u ndal te ideja që liderët janë të përkohshëm, por Kosova është e përjetshme.
“Kur kjo del nga goja e një prej themeluesve të shtetit, është një thirrje që duhet ta dëgjojnë të gjithë, edhe ata që janë sot në politikë”, theksoi ai.