Limaj: Me këtë koalicion qeverisës, veriu po ndahet formalisht nga Kosova - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Limaj: Me këtë koalicion qeverisës, veriu po ndahet formalisht nga Kosova

    Insajderi
    03 January 2017 - 08:38
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka bërë me dije se shteti ynë nuk ka me çfarë të krenohet për vitin 2016. Ai ka thënë se koalicioni qeverisës PDK – LDK ka dështuar në të gjitha fushat.

    “Fatkeqësisht, Kosova nuk ka me çfarë të krenohet me përmbylljen e këtij viti. Gjatë këtij viti kjo qeveri e ka futur Kosovën në një barrë të madhe. Do të kisha shumë dëshirë t’i rendisja ndonjë nga sukseset që kanë ndodhur gjatë 2016-s, të cilat kanë ndikuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve, por nuk ka suksese të tilla”, ka deklaruar Limaj, duke shtuar se ekonomia, shëndetësia, arsimi dhe fushat e tjera janë më keq se më parë.

    Sa i përket pozicionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, ai ka thënë se drejtuesit e këtij koalicioni qeverisës me veprime aventureske, shtetin e kanë ngarkuar me obligime të pamerituara dhe të panevojshme, të cilat, sipas Limajt, do t’i kushtojnë vendit shumë në të ardhmen.

    Kurse duke folur për rolin e opozitës, ai ka thënë se në këtë vit partitë opozitare, në vend se të merren me ekonominë, shëndetësinë, arsimin dhe fushat e tjera, janë detyruar të merren me parandalimin e implementimit të marrëveshjeve të cilat janë në kundërshtim me interesat e Kosovës, siç ka qenë ajo për asociacionin dhe demarkacionin.

    “Opozita ka pasur një hapësirë shumë të ngushtë të veprimit. Opozita është ndodhur para një akti të kryer sepse në çaste të caktuara është ballafaquar me marrëveshje të fshehta dhe në kundërshtim me interesat e Kosovës. Pra, është detyruar të merret me ato marrëveshje, me qëllim që t’ia bëjë të qartë opinionit publik, se çfarë përmbajnë ato marrëveshje, gjithashtu për t’ia bërë të qartë opinionit publik, se nuk janë në interes të shtetit marrëveshjet e nënshkruara”, është shprehur Limaj në një intervistë për Epokën e Re.

    Megjithatë, ai ka thënë se viti 2016 ka qenë i suksesshëm për Nismën për Kosovën dhe, sipas Limajt, e ardhmja e kësaj partie është e fuqishme.

    “Mendoj se zgjedhjet në Drenas dhe rezultatet e sondazheve tregojnë më së miri se Nisma për Kosovën është rritur më shumë se çdo parti tjetër. Sipas sondazheve të fundit, Nisma është dyfishuar dhe kjo tregon se e ardhmja e Nismës do të jetë e fuqishme dhe Nisma do të jetë një nga faktorët kryesor në skenën politike të Kosovës në vitin 2017”, ka vlerësuar ai.

    Limaj ka deklaruar se në përgjithësi 2017-shi do të jetë viti i ndryshimeve të mëdha në politikë. Sipas tij, ky vit do të jetë i vështirë si dhe do të sjellë sfida të mëdha për Republikën e Kosovës.

    “Do të ballafaqohemi me probleme të mëdha. Problemi kryesor është raporti në mes të Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht çështja e pjesës veriore të Kosovës. Nëse vazhdohet me këtë koalicion qeverisës të papërgjegjshëm, Kosova po përgatitet edhe formalisht të ndahet. Kjo do të jetë sfida kryesore”, ka theksuar Limaj.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark