“Pas katër vitesh në pushtet, shumë prej premtimeve të bëra nga qeveria kanë mbetur vetëm në fjalë, pa u realizuar projekte të mëdha dhe pa vizion për transformimin e vendit”. Kështu ka deklaruar Fatmir Limaj, lideri i Nismës Socialdemokrate, duke theksuar se në këtë periudhë, ka pasur më shumë administrim të dobët dhe tensione për të mbuluar mospunën e qeverisë aktuale.
Limaj ka shtuar se qytetarët e kanë në dorë, më 9 shkurt, të vendosin për të ardhmen e vendit dhe të zgjedhin se çfarë lloj qeverisje duan: atë që nuk bëri asgjë për zhvillimin e vendit, apo t’u besojnë atyre që kanë dëshmuar me veprime konkrete.
“Qytetarët janë ata që do të vendosin për ndryshimin. Ata do të kenë mundësinë të zgjedhin mes një qeverie që ka mbetur pa veprime dhe atyre që kanë punuar dhe kanë realizuar projekte të mëdha“, tha Limaj.
Limaj ka theksuar gjithashtu arritjet e tij gjatë periudhës së qeverisjes, duke përmendur ndërtimin e autostradave, aeroportin dhe asfaltimin e mbi 1200 kilometrave të rrugëve në të gjithë vendin. Limaj ka nënvizuar se për të realizuar projekte të mëdha, duhen njerëz që kanë vizion dhe guxim për të punuar.
Ai ka përmendur si prioritet të ardhshëm ndërtimin e një termocentrali, një projekt që, sipas tij, do të zgjidhte përfundimisht çështjen e energjisë elektrike në vend brenda tre viteve të ardhshme.
“Prioriteti i radhës është termocentrali, të cilin do ta realizojmë brenda tre vjetëve dhe do të zgjidhim njëherë e mirë çështjen e energjisë elektrike”, tha Limaj.