Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, njëherësh edhe numri dy i 137-shit AAK-Nisma-Konservatorët-Intelektualët, është zotuar për përfundimin e autostradës së Dukagjinit dhe ndërtimit të aeroportit të Gjakovës pas ardhjes në pushtet.
Limaj ka thënë se e kaluara e tyre është veç vepra, kurse kujtoi edhe kontributin e tij për aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës.
“Përfundimi i autostradës së Dukagjinit dhe të Gjilanit, projekt që do të lidhë të gjithë qytetarët e vendit. Kjo është një investim në infrastrukturë, një mundësi që do të hapë dyer të reja për zhvillimin ekonomik, dhe lehtësimin e qarkullimit”.
“Po ashtu, zhvillimi i Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” është një histori suksesi që na jep fuqinë dhe besimin për të shkuar përpara. Ky sukses na shtyn që të shkojmë më tej dhe të realizojmë një tjetër projekt të rëndësishëm për zhvillimin e vendit, siç është ndërtimi i Aeroportit të Gjakovës.
Ky aeroport do të jetë një mundësi e jashtëzakonshme për rritjen e turizmit, tregtisë dhe mundësive ekonomike për qytetin dhe për tërë vendin.
Përmes këtyre veprave dhe shumë të tjera që do të vijojnë, ne do të vazhdojmë ta ndihmojmë Kosovën që të ecë përpara, duke krijuar mundësi të reja për brezat që vijnë. Ekzistojnë sfida, por me punë, angazhim dhe unitet, do të realizojmë ato që i kemi premtuar qytetarëve tanë”, tha Limaj.