Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se Vushtrria, si pjesë e Kosovës fituese, kërkon veprime konkrete dhe projekte që ndërtojnë të ardhmen.
Ai u shpreh se dashuria për vendin nuk matet me fjalë të thëna, por me vepra që sjellin rezultate të prekshme.
Limaj ka kritikuar ata që premtuan ulje të çmimit të shportës familjare dhe të energjisë elektrike.
“Dashuria për vendin nuk matet me fjalë të thëna në ajër, por me vepra konkrete. Nuk mjaftojnë zhurma dhe britmat, por duhen projekte të mëdha, që e ndërtojnë të ardhmen. Ata që premtuan ulje të çmimit të shportës familjare dhe reduktimin e çmimit të energjisë elektrike, nuk kanë arritur asnjë rezultat konkret. Ata nuk kanë sjellë ndryshim të vërtetë“, ka shkruar ai.
Limaj potencoi se koalicioni për një Kosovë fituese synon të sigurojë një ekonomi stabile, arsim cilësor dhe projekte që do të ndihmojnë çdo qytetar të Kosovës.
Ai u shpreh se vetëm me veprime të qarta dhe angazhim të përkushtuar mund të ndërtohet një të ardhme më e mirë për të gjithë.
“Kosova ka nevojë për veprime të qarta, për liderë që angazhohen për punë të vështira dhe për projekte që do të ndihmojnë çdo qytetar të Kosovës, vetëm kështu mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë”, shkroi Limaj.