Nga Joschka Fischer
Aktualisht jemi dëshmitarë të një ndërthurjeje të paprecedentë të krizave të mëdha dhe të vogla. Nga pandemia e Covid-19, rritja e çmimeve të energjisë dhe rikthimi i inflacionit të lartë në ekonomitë e zhvilluara dhe ato në zhvillim, tek zinxhirët e prishur të furnizimit, lufta kriminale e Rusisë në Ukrainë dhe ndryshimet klimatike, shumë nga këto kriza janë shenja jo vetëm të kalbjes së rendit aktual, por edhe të lindjes së një rendi të ri botëror.
Ndërsa mbetjet e rendit bipolar të shekullit XX do të zhduken përfundimisht, në plan të parë po del një pentarki e re globale. Shtetet e Bashkuara dhe Kina – dy superfuqitë ushtarake, teknologjike dhe ekonomike të këtij shekulli – do të jenë sigurisht lojtarët dominues, por Evropa, Japonia dhe India do të ushtrojnë një ndikim domethënës mbi pjesë të mëdha të planetit.
Një pikëpyetje e madhe qëndron mbi Rusinë, sepse statusi i saj i ardhshëm, kapacitetet dhe qëndrimi strategjik do të varen nga rezultati i luftës së saj të pamatur në Ukrainë. Nën sundimin e presidentit Vladimir Putin, Rusia është kapur me dëshpërim pas së kaluarës, duke synuar të rikrijojë stasukuonë e shekullit XX apo edhe fundit të shekullit XIX.
Por me përpjekjet e saj të gabuara dhe katastrofike për ta shkatërruar Ukrainën, ajo po e shkatërron veten. Një disfatë ushtarake ruse në Ukrainë është tashmë e sigurt. Pyetja është kur do të ndodhë kjo dhe jo nëse do të ndodhë. Gjithsesi, është ende shumë herët për të parashikuar pasojat e mundshme.
A do të mbijetojë regjimi i Putinit, apo humbja e Rusisë do të sjellë një fazë tjetër të kalbjes dhe shpërbërjes së brendshme? Derisa të zgjidhet kjo çështje, ne nuk mund ta dimë ende nëse Rusia do të përpiqet të ruajë pretendimin e saj të vjetër për hegjemoninë në Evropën Lindore dhe në pjesën më të madhe të Euroazisë.
Në rast se Kremlini do të detyrohet ta braktisë këtë pretendim, ndoshta do të ketë marrë fund edhe roli i tij si fuqi botërore. Sigurisht, edhe një Rusi e rrënuar, e poshtëruar, në vend se të hyjë në një letargji gjeopolitike, ka shumë të ngjarë të mbetet një burim kryesor i destabilitetit në rendin e ri botëror, dhe sidomos në kontinentin evropian.
Por tashmë është e qartë se arsenali i madh bërthamor i Rusisë nuk është më i mjaftueshëm për të siguruar statusin e saj gjeopolitik në shekullin XXI. Ekonomia e saj është duke u dobësuar në mënyrë vendimtare, ndërsa pjesa tjetër e botës po vazhdon të heqë gradualisht dorë nga karburantet fosile, të cilat janë shtylla kurrizore e ekonomisë ruse.
Ndërsa Rusia paraqet rreziqe të reja për shkak të brishtësisë dhe degradimit të saj, Kina do ta bëjë këtë për shkak të pasurisë dhe fuqisë së saj në rritje. Për shkak të valës masive të globalizimit që filloi në fillim të viteve 2000, Kina arriti të dilte nga varfëria dhe të pozicionohej si një vend me të ardhura të larta.
Dhe gjatë krizës financiare të vitit 2008 që e diskreditoi pjesërisht Perëndimin, Kina ishte në gjendje të zgjeronte rolin e saj si udhëheqëse globale dhe ta paraqiste veten si një superfuqi globale përkrah SHBA-së.
Megjithatë në dallim nga Bashkimi Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë, Kina nuk ka gabuar duke u fokusuar vetëm tek fuqinë e saj ushtarake. Përkundrazi, ngritja e saj globale pasqyron përqafimin e integrimit të saj në tregjet botërore të dominuara nga SHBA-ja dhe Perëndimi, në një kohë që po investon shumë para në konkurrencën me Perëndimin në fushën e teknologjisë dhe shkencës.
Sigurisht kinezët nuk janë frenuar dhe aq tek investimet ushtarake, por nuk kanë lejuar që shpenzimet për mbrojtjen dhe sigurinë të pengojnë çdo gjë tjetër. Dallimi përcaktues midis Kinës dhe Rusisë sot është se ndryshe nga Putini, udhëheqja kineze jeton realisht në shekullin XXI.
Samiti i fundit i G20-ës në Bali të Indonezisë e nxori në pah këtë ndryshim themelor të këndvështrimit dhe qëllimeve. Ndërsa Rusia e pa veten të izoluar diplomatikisht, Kina ishte në qendër të të gjitha diskutimeve dhe mënyrës së hartimit të deklaratës përfundimtare. Edhe pse nuk kanë adoptuar linjën perëndimore për krizën e Ukrainës, vende të mëdha si Kina dhe India e shfrytëzuan rastin për t’u distancuar dukshëm nga Kremlini, duke e denoncuar politikën luftarake dhe kërcënimet bërthamore të Moskës.
Në rast se bisedimet kokë më kokë midis presidentit të SHBA-së Xho Bajden dhe presidentit kinez Xi Jinping do të ndihmojnë në uljen e tensioneve midis 2 vendeve, atëherë samiti i Balit do të ketë hapur derën për ri–formësimin e marrëdhënieve ndërkombëtare në shekullin XXI.
Rezultati i zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA, ofron edhe një arsye tjetër për shpresë, pasi “dallga e kuqe” e shumëpritur republikane nuk ndodhi. Kjo parti nuk arriti të merrte shumicën në Senat dhe mezi siguroi një shumicë të ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve.
Ashtu si në vitet 2018 dhe 2020, ish-presidenti Donald Trump e dëmtoi sërish partinë e tij. Shumica e amerikanëve nuk duan një rikthim tek politikat e tij izoluese “Amerika e Para”.
Marrë të dyja së bashku, afatet e mesit të mandatit në SHBA dhe samiti i Balit ofrojnë arsye për optimizëm në një moment të vështirë.
Por do të na duhet shumë më tepër progres drejt bashkëpunimit global. Tek e fundit, dy krizat tona më të mëdha – lufta e Rusisë në Ukrainë dhe ndryshimi i klimës – mund të kapërcehen vetëm nëse fuqitë kryesore të botës gjejnë një mënyrë për të punuar së bashku.
Shënim:Joschka Fischer, Ministër i Jashtëm i Gjermanisë dhe zëvendës/kancelar gjatë viteve 1998-2005. Ka qenë udhëheqës i Partisë Gjermane të Gjelbër për gati 20 vjet. / “Project Syndicate” – Bota.al