“Liri, shpresë apo zhgënjim”: Veriu i Kosovës drejt rikthimit nën udhëheqjen e serbëve - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “Liri, shpresë apo zhgënjim”: Veriu i Kosovës drejt rikthimit nën udhëheqjen e serbëve

    Insajderi
    06 October 2025 - 17:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Banorët serbë të komunave veriore të Kosovës janë të ndarë mes shpresës dhe skepticizmit për zgjedhjet e 12 tetorit: disa e presin rikthimin e serbëve në krye të komunave si “liri”, ndërsa të tjerët nuk presin ndryshime të mëdha.

    Pas dorëheqjes së zyrtarëve të Listës Serbe në nëntor të vitit 2022, komunat veriore u morën nga kryetarët shqiptarë.

    Lista Serbe synon rikthimin në pushtet dhe anulimin e vendimeve të kryetarëve shqiptarë, por autoritetet lokale thonë se vendimet e miratuara në përputhje me ligjin, nuk mund të zhbëhen.

    Ndërsa zgjedhjet lokale të 12 tetorit afrohen, banorët e Mitrovicës së Veriut, të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, janë të ndarë mes shpresës dhe skepticizmit.

    Disa mezi presin të shohin largimin e kryetarëve shqiptarë nga pushteti; të tjerët nuk presin ndryshime të mëdha: institucionet e mbyllura të Serbisë, thonë ata, nuk do të kthehen më.

    Katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku – udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë, pasi në nëntor të vitit 2022, të gjithë përfaqësuesit e Listës Serbe dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, si reagim ndaj vendimit të autoriteteve kosovare për t’i hequr targat serbe të makinave.

    Instalimi i kryetarëve shqiptarë u pasua me protesta të dhunshme nga qytetaët serbë, të cilat rezultuan me dhjetëra njerëz të plagosur – në mesin e tyre edhe ushtarë të misionit të NATO-s, KFOR.

    Në prill të vitit 2023, serbët, duke ndjekur udhëzimet e Listës Serbe, nuk morën pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në këto komuna. Ata bojkotuan edhe votimin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në prill të vitit 2024.

    Gjatë gjithë kësaj kohe, tensionet vazhduan, për shkak të përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës për të vendosur kontrollin atje.

    Situata kulmoi me një sulm të armatosur të një grupi serbësh në fshatin Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit 2023. Përgjegjësinë për kryerjen e tij e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

    Kosova, në anën tjetër, arriti disa qëllime: hoqi targat serbe, ndaloi përdorimin e dinarit serb dhe mbylli shumicën e institucioneve serbe që funksiononin në veri – në mesin e tyre: posta, banka, autoritete të përkohshme komunale, qendra për punë sociale, ndërmarrje publike e të tjera.

    Në vend të atyre serbe, u hapën institucionet, zyrat postare dhe bankat e Kosovës.

    Autoritetet lokale morën përsipër ndërtesat ku kishin vepruar institucionet serbe, ndaluan ndërtimet “e paligjshme” të financuara nga Serbia ose paralajmëruan prishjen e vendbanimeve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme.

    Gjithashtu, u hapën biznese në pronësi të shqiptarëve, si supermarkete, restorante me ushqime të shpejta dhe pastiçeri, por që u përballën me bojkotim nga komuniteti lokal serb.

    Sot, Lista Serbe “numëron mbrapsht” deri në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, për të zëvendësuar kryetarët shqiptarë, të cilët i konsideron si “të paligjshëm”.

    Gjatë fushatës, partia më e madhe e serbëve në Kosovë – e cila vazhdimisht i fitoi zgjedhjet prej se u formua në vitin 2013 – pranoi se ishte gabim të largohej nga institucionet e Kosovës, duke thënë se qëllimi ishte t’ia tërhiqte vëmendjen komunitetit ndërkombëtar për “pozitën e vështirë të serbëve”.

    “Sot duhet t’i korrigjojmë ato gabime. Kishim shpresa te komuniteti ndërkombëtar, por nuk morëm asgjë. Mjerim. Asgjë nuk na kuptuan…”, tha Sërgjan Vulloviq, nga Lista Serbe, në një tubim parazgjedhor në Zubin Potok.

    Çka presin qytetarët?
    Radovani nga Mitrovica e Veriut pret që pas 12 tetorit komuna e tij të udhëhiqet nga serbët dhe se “do të ketë sërish liri”.

    “Liria është gjëja më e çmuar dhe pjesa tjetër varet nga populli”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

    Radovani e konsideron si “mungesë lirie” faktin që komunat në veri të Kosovës udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë, për të cilët thotë se kanë marrë vendime që i kanë dëmtuar serbët.

    Ai e kundërshton edhe hapjen e bizneseve shqiptare në Mitrovicë të Veriut.

    “Ata mendojnë se janë kryesorët, por nuk janë. E shihni, kanë pushtuar gjysmën e [shëtitores]”, thotë Radovani, duke shtuar se nuk ka asgjë kundër shqiptarëve, por se në veri jeton shumica serbe dhe se ajo duhet t’i marrë vendimet.

    Mirosllavi ndan mendim të ngjashëm. Ai nuk shpreson për ndryshime të mëdha, por thotë se është e rëndësishme për të që “këta [kryetarët shqiptarë] të largohen”.

    Sllavica, në anën tjetër, nuk pret ndonjë ndryshim pas zgjedhjeve të 12 tetorit, sepse, siç thotë ajo, askush nuk mund t’i kthejë institucionet e mbyllura që funksiononin brenda sistemit serb.

    “Nëse na marrin shëndetësinë dhe arsimin, ne nuk kemi çfarë të kërkojmë këtu”, thotë ajo, dhe shton se dy djemtë e saj tashmë janë larguar, për shkak të situatës së paqëndrueshme në veri të Kosovës.

    “Një popull i zhgënjyer. Kjo nuk është mënyra e duhur”, thotë Sllavica.

    Mira thotë se jeta në këtë zonë ka qenë shumë e vështirë në tre vjetët e fundit dhe nuk pret ndonjë përmirësim pas zgjedhjeve lokale.

    Arsyeja, sipas saj, është se shumica e institucioneve serbe janë mbyllur dhe se dinari është hequr, ndaj për të marrë të ardhurat e saj, duhet të shkojë në Serbi.

    Pjesëtarët e komunitetit serb marrin të ardhura të ndryshme nga buxheti i Serbisë, si: paga, pensione, shtesa për fëmijë dhe ndihma të tjera financiare.

    “Kam mbesën që ma merr pensionin në Serbi; përndryshe, nuk do të mund të shkoja, sepse nuk jam mirë me shëndet”, thotë Mira.

    Pjesëmarrje e madhe?
    Zoran Saviq, nga organizata joqeveritare në veri, Aktiv, i cili monitoron fushatën e zgjedhjeve lokale, thotë për Radion Evropa e Lirë se në mesin e popullsisë lokale në veri të Kosovës nuk ka optimizëm, por beson se pjesëmarrja në zgjedhje do të jetë e lartë.

    Ai thotë se, pavarësisht faktit se disa subjekte politike serbe marrin pjesë në garën zgjedhore, Lista Serbe do të fitojë, sepse është e vetmja parti që ka mbështetjen e Beogradit.

    “E dimë se si funksionon. Do të ketë votim kolektiv… të gjithë ata që janë në buxhetin e Republikës së Serbisë, do të votojnë. Kështu ishte rasti me çdo proces zgjedhor, në të cilin mori pjesë Lista Serbe”, thotë Saviq.

    Serbia i zhvendosi institucionet e saj të mbyllura në Kosovë në territorin e saj dhe punonjësit vazhduan të marrin paga.

    Beogradi zyrtar u bëri thirrje serbëve në Kosovë, por edhe personave të zhvendosur në Serbi, që të votojnë për Listën Serbe. Komisariati për Refugjatë i Republikës së Serbisë kërkoi që të gjithë ata që kanë dokumente të Kosovës t’i drejtohen për organizimin e pjesëmarrjes në zgjedhje, ashtu siç ndodhi edhe për zgjedhjet parlamentare të shkurtit.

    Saviq thotë se pas zgjedhjeve, kryetarët e rinj do të përballen me një “realitet të ri”, sepse autoritetet aktuale kanë ndryshuar pamjen e komunave: kanë fshirë muralet që lidheshin me Serbinë, kanë ndërruar emrat e vendbanimeve dhe rrugëve dhe gjëra të ngjashme.

    Një nga mesazhet kryesore të Listës Serbe është se do t’i anulojë të gjitha vendimet e “autoriteteve të paligjshme”.

    Të njëjtën gjë e thonë edhe subjektet e tjera politike serbe, duke paralajmëruar rishikim të vendimeve ose marrëveshjeve të mëparshme.

    A është e mundur të anulohen ose ndryshohen vendimet?
    Kryetari aktual i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimet që janë marrë tashmë në komunat e veriut të Kosovës, nuk mund të anulohen, sepse janë marrë në përputhje me rregulloret dhe ligjet e Kosovës.

    “Çdo vendim që merret, duhet të jetë në përputhje me ligjin. Janë nxjerrë rregullore që më parë nuk kanë ekzistuar. Kthimi në gjendjen e mëparshme nuk është i mundur, sepse nuk mund të kthehesh në anarki”, thotë ai.

    Uglanin, i cili vjen nga komuniteti boshnjak, merr pjesë në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut që nga themelimi i tij në vitin 2013.

    Ai thotë se komuna filloi të punojë me kapacitet të plotë vetëm pas tërheqjes së Listës Serbe.

    “Rregulloret që ekzistonin në të gjitha komunat e tjera, nuk ekzistonin në komunat në veri: as për taksat, tarifat, gjobat… Ato nuk funksiononin siç duhej”, thotë Uglanin.

    Ai shton se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka toleruar një “formë anarkie” në komunat veriore, sepse udhëhiqej nga Lista Serbe deri para disa vitesh.

    Sipas tij, vendimet e autoriteteve lokale në dy vjetët e fundit kanë kaluar procedurën parlamentare dhe i janë dërguar Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për shqyrtim.

    “Ministria i shqyrton këto vendime, por deri më tani asnjë vendim nuk është anuluar”, thotë Uglanin.

    Kjo ministri, aktualisht, drejtohet nga ministri në detyrë, Elbert Krasniqi.

    Çka thotë ligji?
    Ligji për vetëqeverisjen lokale në Kosovë përcakton statusin ligjor të komunave, kompetencat e tyre dhe parimet e përgjithshme, organizimin dhe funksionimin e organeve komunale, bashkëpunimin brenda komunës dhe marrëveshjet ndërkomunale, përfshirë bashkëpunimin ndërkufitar dhe marrëdhëniet midis komunave dhe autoritetit qendror.

    Megjithatë, nuk sqaron në mënyrë të qartë nëse një vendim i vetëqeverisjes lokale mund të anulohet nga pushteti që vjen më pas.

    Në pjesën e ligjit që lidhet me “mbikëqyrjen e legjislacionit” thuhet se nëse organi mbikëqyrës – në këtë rast Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ose institucionet e tjera përgjegjëse të Qeverisë së Republikës së Kosovës – vlerëson se një vendim ose akt tjetër i komunës nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, ai mund të kërkojë që komuna ta rishikojë atë vendim ose akt.

    “Kërkesa do të përmbajë arsyet e shkeljes së pretenduar të Kushtetutës ose ligjit dhe nuk do të pezullojë ekzekutimin e vendimit të komunës ose të ndonjë akti tjetër në fjalë”, thuhet në ligj.

    Nëse organi komunal nuk përgjigjet ndaj kërkesës për rishqyrtim, organi mbikëqyrës mund ta kontestojë aktin përkatës para Gjykatës së Qarkut, kompetente për territorin e komunës, brenda 30 ditëve nga mosmarrja e përgjigjes, njoftimit për refuzim ose mbështetje të vendimit ose aktit në fjalë.

    Gjykata më pas mund të urdhërojë, përmes një mase të përkohshme, anulimin e vendimit ose aktit të kontestuar ose të akteve të tjera të përkohshme, në përputhje me ligjin.

    “Kthimi i Listës Serbe në institucione është i mundur, por jo i punonjësve që i braktisën”
    Uglanin thotë se është shumë e mundur që Lista Serbe, pas zgjedhjeve lokale, të rikthehet në pushtet në komunat e veriut, por kjo nuk do të thotë se do të rikthehet edhe stafi administrativ që la detyrat e tij në vitin 2022, sepse, ndërkohë, janë punësuar njerëz të rinj.

    “Fatkeqësisht, punonjësit komunalë që [Lista Serbe] i detyroi të largoheshin nga institucionet, nga puna, nuk do të mund të kthehen. Do të kenë disa drejtorë komunalë dhe kaq”, thotë ai.

    Saviq, nga organizata joqeveritare Aktiv, thotë gjithashtu se kthimi i të gjithë punonjësve që u larguan nga institucionet me ftesë të Listës Serbe, nuk do të jetë i mundur.

    “Vetëm ata [Lista Serbe] do të kthehen. Njerëzit që u detyruan në njëfarë mënyre nga Lista Serbe të largoheshin nga institucionet, nuk do të kthehen”, sipas tij.

    Përveç politikanëve, nga institucionet e Kosovës në vitin 2022 u larguan edhe punonjësit e administratës lokale, Policisë së Kosovës dhe gjyqësorit.

    Në zgjedhjet e ardhshme lokale më 12 tetor, Lista Serbe ka kandidatë për kryetarë komunash në të dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok, Graçanicë, Shtërpcë, Novobërdë, Kllokot, Partesh dhe Ranillug, si dhe në Obiliq.

    Kandidatë në komunat me shumicë serbe kanë edhe disa parti tjera serbe: Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit, Demokracia Serbe e Aleksandar Arsenijeviqit, Lëvizja Popullore Serbe e Millija Bishevacit, Aleanca e Kosovës e Goran Marinkoviqit, si dhe disa iniciativa qytetare. (REL)


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark