
Autor: Zyhdi Hajzeri, Jurist dhe Imam
Liria e shprehjes ka luajtur një rol kyç dhe te rëndësishëm në zhvillimin e shoqërive moderne, duke përfaqësuar aftësinë themelore të njeriut për të shprehur mendimet dhe idetë e tij pa kufizime apo frikë nga ndonjë ndëshkim. Megjithatë, liria e shprehjes nuk është absolute në asnjë sistem ligjor apo fetar, pasi i nënshtrohet kufizimeve që synojnë mbrojtjen e rendit publik, të drejtave të të tjerëve dhe sigurisë kombëtare. Në këtë kontekst, studimi i lirisë së shprehjes mund të shihet nga dy këndvështrime kryesore: e para është ajo e jurisprudencës fetare islame, dhe e dyta është ajo e ligjeve pozitive moderne. Të dyja qasjet njohin rëndësinë e kësaj lirie, por ndryshojnë në shkallën dhe rregullat e ushtrimit të saj.
Në jurisprudencën islame, liria e shprehjes është një e drejtë e kushtëzuar që lidhet me respektin dhe përmbushjen e vlerave fetare dhe shoqërore. Profeti Muhamed, paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të, inkurajonte diskutimin konstruktiv dhe shprehjen e mendimeve me mençuri, ndërsa Kur’ani thekson se dallimi në mendime është një pjesë e natyrshme e jetës. Megjithatë, jurisprudenca islame vendos kufizime të rrepta mbi këtë liri, si ndalimi i fyerjes, shpifjes, shpërndarjes së thashethemeve, për shkak të pasojave negative që ato kanë mbi individin dhe shoqërinë. Gjithashtu, jurisprudenca mbron besimin dhe fenë, duke mos lejuar sulmet ndaj simboleve të Islamit apo talljen me profetët, duke e konsideruar këtë tejkalim të kufijve të ligjit fetar. Për më tepër, jurisprudenca i jep rëndësi të madhe mbrojtjes së rendit publik, duke ndaluar çdo shprehje që mund të shkaktojë përçarje ose dhunë, dhe thekson përgjegjësinë individuale për fjalët dhe veprimet, me mundësi ndëshkimi në rast dëmtimi të të tjerëve.
Nga ana tjetër, në Kosovë, liria e shprehjes është e garantuar me Kushtetutë dhe legjislacion tjetër të rëndësishëm. Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton të drejtën e lirë të shprehjes, duke theksuar se kjo e drejtë mund të kufizohet vetëm me ligj dhe për qëllime të mbrojtjes së rendit publik, sigurisë kombëtare, shëndetit publik, moralit, apo të drejtave dhe lirive të të tjerëve. Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Ligji për Mbrojtjen nga Shpifja, janë disa nga ligjet që rregullojnë aspektet praktike të lirive të shprehjes në Kosovë, duke vendosur kufizime specifike për të parandaluar shpifjen, nxitjen e urrejtjes, diskriminimit dhe dhunës.
Këto dispozita ligjore bashkëveprojnë për të siguruar që liria e shprehjes të ushtrohet në mënyrë të përgjegjshme dhe me respekt ndaj të drejtave të të tjerëve dhe interesave të përgjithshme të shoqërisë. Njëkohësisht, sistemi ligjor në Kosovë përpiqet të krijojnë një balancë mes lirive individuale dhe mbrojtjes së rendit dhe sigurisë publike.
Në plan ndërkombëtar, liria e shprehjes është një e drejtë e njohur dhe e mbrojtur nga instrumentet kryesore të së drejtës së njeriut. Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, përcakton se çdo person ka të drejtë në lirinë e mendimit dhe shprehjes, duke përfshirë lirinë për të kërkuar, marrë dhe përhapur informacione dhe ide pa ndërhyrje. Po ashtu, Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, i cili është i ratifikuar edhe nga Kosova, garanton këtë të drejtë me kufizime të bazuara vetëm në ligj dhe për arsyet e mbrojtjes së sigurisë kombëtare, rendit publik, moralit, apo të drejtave dhe lirive të të tjerëve. Këto standarde ndërkombëtare kërkojnë që kufizimet të jenë të nevojshme dhe proporcionale, duke respektuar kështu balancën midis lirive individuale dhe interesave të përgjithshme të shoqërisë.
Megjithëse ekzistojnë pika takimi midis jurisprudencës islame dhe ligjeve pozitive në njohjen e lirive të shprehjes dhe vendosjen e kufijve, ka dallime mes tyre. Jurisprudenca islame lidh lirinë e shprehjes ngushtë me vlerat fetare dhe normat e ligjit fetar, ndërsa ligjet pozitive mbështeten në parime civile dhe sekulare që mundësojnë hapësira më të gjera shprehjeje, përfshirë edhe kritikat ndaj fesë, për sa kohë që nuk kërcënojnë rendin apo të drejtat e të tjerëve. Mbrojtja e besimit dhe fesë në jurisprudencën islame ka prioritet dhe mbrojtje me të lartë, duke vendosur kufizime më të ashpra në krahasim me ligjet pozitive.
Sot, liria e shprehjes përballet me sfida të mëdha, veçanërisht për shkak të zhvillimeve teknologjike dhe përhapjes së mediave sociale, të cilat kanë zgjeruar fushën e shprehjes dhe kanë sjellë fenomene të reja si lajmet e rreme, gjuhën e urrejtjes dhe nxitjen e dhunës. Ky realitet kërkon rregullime të kujdesshme që janë në harmoni me vlerat fetare dhe ligjet civile. Gjithashtu, ekziston një tension midis mbrojtjes së simboleve fetare dhe lirisë së shprehjes, gjë e cila paraqet një sfidë të madhe në shoqëritë myslimane, sidomos me rritjen e disa shprehjeve që mund të perceptohen si fyese apo provokuese. Në vendet me sisteme ligjore të përziera, kërkohet përpjekje e vazhdueshme për të harmonizuar rregullat fetare me ato civile për të arritur balancimin e nevojshëm.
Andaj, liria e shprehjes mbetet një e drejtë thelbësore dhe e domosdoshme në çdo shoqëri demokratike, qoftë në kuadër të jurisprudencës islame apo të ligjeve pozitive, përfshirë edhe sistemin ligjor të Kosovës dhe standardet ndërkombëtare të së drejtës së njeriut. Megjithatë, kjo liri nuk është absolute, pasi i nënshtrohet kufizimeve dhe rregullave që synojnë mbrojtjen e të drejtave, dinjitetit dhe sigurisë së përgjithshme. Sfida kryesore qëndron në arritjen e një ekuilibri që garanton këtë liri, duke ruajtur njëkohësisht vlerat fetare dhe shoqërore, dhe kjo kërkon bashkëpunim dhe mirëkuptim midis profesorëve te drejtës, shkencëtarëve, ligjvënësve dhe shoqërisë civile për të zhvilluar kuadro ligjore dhe konceptuale që përputhen me kërkesat e kohës dhe ruajnë të drejtat dhe liritë në të njëjtën kohë.