×
Analiza

“Liria ka emër”, fushata që përmendi Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin – a kanë emër të arrestuarit tjerë nga Specialja?

Insajderi
21 November 2020 - 16:18
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Drenusha Canolli

Çdo luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka emër e mbiemër. Si luftëtar lirie, ata kanë edhe historitë e tyre. Por jo për të gjithë ata dhe historitë e tyre po kanë vend në kampanjën, e titulluar, “Liria ka Emër”.

Kjo kampanjë u publikua vetëm, pas arrestimit të Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit, Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit nga Gjykata Speciale pas nismës të disa njerëzve të afërtë me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

Gjithçka nisi për të treguar historinë e rrugëtimit të Kosovës dhe kujtesës kolektive.

Por, për këtë grup vullnetarësh – historia e Kosovës, kujtesa kolektive dhe liria, gëzon emrin e vetëm katër eprorëve të UÇK-së, atë të Krasniqit, Selimit, Veselit dhe Thaçit, por jo edhe të Salih Mustafës, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, edhe këtë të arrestuar nga Specialja.

Andaj, “Liria ka emër”, po del të jetë e padrejtë dhe diskriminuese.

Së paku kështu e ka cilësuar krejt fushatën, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Faton Klinaku.

“Organizatorët e fushatës “Liria ka emër”,  të cilët në anën ballore të hotelit Grand e kanë vendosur një ekran gjigant, por edhe të tjerët që në këtë fushatë (pavarësisht se është në mbrojtje të UÇK-së), janë duke bërë padrejtësisht diskriminim duke i ndarë të akuzuarit, të cilët janë në Gjykatën e padrejtë në Hagë”, ka thënë Klinaku për Insajderin.

Klinaku ka thënë se kjo fushatë do të duhej të fillonte me të arrestuarin e parë nga Specialja, Salih Mustafën-Cali, për të vazhduar pastaj me Gucatin dhe Haradinajn.

“Kjo fushatë, do të duhej që të fillonte me të akuzuarin e parë komandantin Salih Mustafa – Cali, i cili nuk e ka votuar këtë gjykatë, por gjatë fjalimit të tij kërkoj që t’i zgjerohen kompetencat me qëllim që të ndjek krimet, masakrat dhe gjenocidin e shkaktuar në Kosovë nga serbët dhe Serbia pushtuese”, tha ai.

“Fushata duhej të vazhdonte me kryetarin e OVL UÇK-së, Hysni Gucati dhe me nënkryetarin e OVL UÇK-së, Nasim Haradinaj, të cilët nuk janë atje në burg për qëllime të tyre personale, por për të përgjithshmen, për shokët, për UÇK-në, për popullin dhe për Kosovën, sepse ata poashtu nuk e kanë votuar dhe nuk e kanë njohur këtë Gjykatë, por edhe kanë kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që ta zhbëjë ose ta ndryshoj këtë Gjykatë një etnike, e cila mund të jetë gjithçka tjetër, por veç krim nuk gjykon”, ka thënë Klinaku për Insajderin.

Ismail Tasholli, njëri nga organizatorët e kampanjës, nuk është përgjigjur në pyetjet e Gazetës Insajderi, për atë se si është bërë ndarja e të arrestuarve në fushatën “Liria ka emër”.

Dhe, as për atë nëse ka qenë e qëllimshme ose politike, por vetëm ka pohuar se do të vendosën të gjithë emrat e atyre që kontribuan për liri.

“Të gjithë emrat që kanë kontribuar për lirinë do të publikohen, pa dallime politike, kjo platformë do të zgjas me vite dhe do të mbledh edhe emrat prej nga Lufta e Dyte Botërore e tutje”, ka thënë Tasholli për Insajderin.

Profesori universitar: Liria s’ka emra të përveçshëm, të mos përdoret për hesapet e politikanëve

Sociologu dhe profesori universitar, Gëzim Selaci, po i duket problematike se si po përdoret kjo fushatë. Ai thotë se t’i vihet emër lirisë nuk shkon me vetë konceptin e lirës, dhe sipas tij është tepër e pandershme përdorimi i vuajtjes njerëzore në luftë për hesape të politikanëve.

Profesori i sociologjisë e ka shpjeguar në detaje këtë fenomen për Insajderin. Krejt fushatën ai e ka komentuar mbi dy aspekte.

 “Së pari, t’i vihet emër i përveçëm i “lirisë” duke e lidhur atë me një organizatë a persona të përveçëm nuk shkon me vetë konceptin e lirisë. Këtë po e them, sepse liria është ideal që aspirohet në vazhdimësi, dhe jo një person, grup, a organizatë. Të identifikosh lirinë me një organizatë a person, i bie të heqësh dorë nga ideali i lirisë dhe të kënaqesh me status-quonë që e ofron ajo organizatë, ai shtet, ai grup politikanësh, ajo qeveri, ose kushdoqoftë. O do të përpiqesh në vazhdimësi dhe çdo ditë drejt lirisë, o do të pajtohesh me një gjendje që ta kufizon lirinë ose nuk të ofron mundësi për të relizuar lirinë. Rrugë të tretë nuk ka”, ka thënë ai.

“Së dyti, është tepër e pandershme përdorimi i vuajtjes njerëzore në luftë për hesape të politikanëve të sotit. Se sa janë kujtuar politikanët e luftës dhe paqes për viktimat e dhunës seksuale, e dijmë mirë! Kemi lexuar e dëgjuar lajme. Më së miri e dijnë vetë viktimat”, ka thënë Selaci për Insajderin.

Profesori thotë se kjo fushatë po e përdor emrin e UÇK-së dhe të viktimave të luftës.

“Mua më duket se kjo fushatë që e përdorë emrin e UÇK-së dhe viktimave të dhunës seksuale në luftë në këtë mënyrë problematike ka të bëjë më tepër me ndonjë ose disa persone të përveçëm që po gjykohen në Gjykatën Speciale, se sa me ndonjë brengë të sinqertë për naming e UÇK-së ose me ndonjë shqetësin të sinqertë për viktimat e dhunës seksuale. Këtë po e them, pasi që më kujtohet se kjo nuk është hera e parë që pjesëtarë të UÇK-së gjykohen për krime të supozuara lufte, por nuk më kujtohet se atëbotë bëhej kaq e madhe  a përcillej me fushata të bujshme dhe problematike si kjo “Liria ke emër”, ka thënë ai.

Ai thotë se krejt këtë e sheh si fushatë parazgjedhore.

“Si studiues i shkencave shoqërore dhe si qytetar që e kujtoj pushtimin dhe represionin serb para luftës, tmerret e luftës dhe luftën çlirimtare, nuk mund të theksoj mjaftueshëm sa e vlerësoj nevojën për, jo vetëm fushata, por për një program të kujtesës kolektive për shoqërinë tonë, që ne nuk e kemi, për fat të keq. Mirëpo, kjo “Liria ke emër” më tepër se fushatë vetëdijësuese për publikun, më duket si fushatë parazgjedhore dhe si instrument i gatshëm për përdorim ideologjik nga politikanë të caktuar”, tha profesori për Insajderin.

Sipas Selacit kjo fushatë tall viktimat e luftës së fundit në Kosovë.

“Në të vërtetë, vonesën e rrëfimeve dhe shkurajimin e viktimave të përdhunimit në luftë për të rrëfyer përjetimet e tyre dhe për të kërkuar drejtësi, e kanë shkaktuar edhe kremtimet e epopeve dhe heroizmave, se përmes tyre “bartësit e vlerave të luftës” dhe politikanët e “dalur nga lufta” kanë krijuar kapital politik dhe ekonomik”.

“Edhe tmerri i luftës që ka rënduar mbi gratë, fëmijët dhe të dobëtit ka mbetë në hijen e luftës heroike të burrave e heronjve të luftës. Sikur kanë thënë se ne milicin, ushtarin e paramilitarin serb e kemi pa veç përmes tytës së pushkës! Kah po dalin tash këto të përdhunuarat! Vetëm tash kur heronjve të luftës po ju duhet me kapitalizu vuajtjen e popullatës së pambrojtur në luftë, u kujtuan edhe për ta dhe madje fushata po i përmend me emra e mbiemra! Kjo është tallje me viktimat e luftës”, përfundon profesori i Sociologjisë komentin e tij rreth fushatës “Liria ka emër”. /Insajderi.org

Si vendosi të vijë në Kosovë dhe t’i bashkohet UÇK-së? Flet Roland Bartetzko

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark