Gjykata Themelore në Prishtinë, më 20 shtator 2023 kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj 36 të akuzuarve në rastin e njohur si “Stenta 2”, lidhur me akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti.
Themelorja ka publikuar arsyetimin e plotë të vendimit për lirimin e 36 të akuzuarve, ku thuhet se nga deklaratat e dëshmitarëve të dëgjuar gjatë shqyrtimit gjyqësor, është konstatuar se referimet e mjekëve ndaj pacientëve nëpër spitalet private ishin udhëzime për të shpëtuar jetën e tyre.
“Gjykata referimet e mjekëve ndaj pacientëve apo familjarëve të tyre për në spitale private i konsideroi vetëm udhëzime për të shpëtuar jetën e tyre…” thuhet në arsyetimin e gjykatës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas gjykatës, dëshmitarët-pacientët e referuar nga mjekët e akuzuar për në spitalet privat kanë pasur fjalë të mira, se kanë shprehur falënderime për doktorët dhe se ankesat kryesore i kanë pasur për Ministrinë e Shëndetësisë që nuk ua ka mbuluar shpenzimet.
Gjithashtu, gjykata nga dëshmia e dëshmitarëve ka gjetur se vullnetarisht kanë shkuar në spitalet private për të vazhduar trajtimin e nevojshëm shëndetësor.
Ndërkaq, nga dëshmia e Lulzim Brovinës, thuhet se gjykata ka gjetur se edhe pse disa nga mjekët e institucioneve shëndetësore pacientët i kishin referuar në spitalin “EDA”, megjithatë i njëjti nuk ka precizuar kohën dhe se nuk ka pohuar se është bërë ndonjë pagesë me qëllim ryshfeti.
Çka thanë ish-drejtorët e QKUK-së në dëshmitë e tyre?
Nga dëshmia e dëshmitari Nijazi Gashi, ish-drejtor i QKUK-së nga vitit 2010 deri më 2014, është sqaruar se për shkak të kushteve jo të mira brenda përbrenda QKUK-së, kanë lidhur marrëveshje me spitalet private, me të vetmin qëllim shpëtimin e jetës së pacientëve.
Tutje, nga dëshmia e Curr Gjocajt, ish-drejtor i SHSKUK nga viti 2014 deri më 2017, gjykata ka gjetur se edhe në kohën kur i akuzuari në këtë rast Gani Bajraktari ishte drejtor i Kadiologjisë kur janë bërë referimet për në spitalet private, nuk janë theksuar spitalet private.
Dhe krejt në fund, nga dëshmitarja Fitore Konjusha, punëtore në spitalin privat “IMH”, gjykata nuk arriti të vërtetojë në mënyrë të sigurt faktin se mjekët kanë pranuar ryshfet për referim të pacientëve.
Si i vlerësoi gjykata provat materiale?
Sipas aktgjykimit të plotë, gjykata ka gjetur se marrëveshjet e bashkëpunimit midis QKUK-së dhe spitalit privat “EDA” ishin në kompetencë të Ministrisë së Shëndetësisë, me qëllim që pacientëve t’iu mundësohet subvencionimi i trajtimit nga institucionet shëndetësore private dhe si të tilla kanë qenë ligjërisht të obligueshme për palët nënshkruese.
Prandaj, sipas gjykatës, fakti se Inspektorati Shëndetësor ka pezulluar shërbimet e institucioneve private, lë të kuptohet se mjekët e akuzuar nuk ka qenë në dijeni se spitalet privat nuk kanë licencë, andaj nuk konsiderohet keqpërdorim i pozitës zyrtare.
Po ashtu, gjykata ka gjetur se nga analizimi i provave materiale, lidhja e marrëveshjeve me spitalet private për dhënie të shërbimeve shëndetësore, ishte edhe si pasojë e mungesës së stafit profesional dhe e pajisjeve adekuate që do të vinte në hezitim mjekët për të bërë intervenimet.
Ndërkaq, gjykata me rastin e vlerësimit të Udhëzimit Administrativ që flet për trajtimet mjekësore jashtë institucioneve publike, ka konstatuar se përgjegjësia që t’i kontrollojë kriteret për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore është ekskluzivisht e kryetarit dhe anëtarëve të Bordit Ekzekutiv.
Andaj, del se të të akuzuarit që kanë qenë objekt i gjykimit nuk kanë pasur asnjë kompetencë të vetme që të ndërhyjnë në vendimmarrje të bordit.
Po ashtu, gjykata edhe pse ka gjetur se spitali privat “EDA” ku edhe janë referuar pacientët për trajtim nuk ka pasur licencë prej 2 qershorit 2014 e deri më 22 gusht 2014, thuhet se nuk i është ofruar ndonjë provë nëse brenda këtij intervali kohor është trajtuar ndonjë pacient.
Nga ekspertiza financiare, Themelorja ka gjetur se shuma e dëmit të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës është 11 mijë e 430 euro por se mungon lidhja kauzale midis veprimeve të të akuzuarve dhe dëmit të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 20 shtator 2023 kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj 36 të akuzuarve në rastin “Stenta 2”, lidhur me akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti.
Ndërsa, në seancën e mbajtur më 17 gusht 2023, prokurorja speciale Florije Shamolli gjatë dhënies së fjalës përfundimtare, kishte ndryshuar vlerën e dëmit nga 4 milionë e gjysmë në 11 mijë e 430 euro.
Ndryshe, në rastin “Stenta 2” kanë qenë të përfshirë 45 mjekë, por për shkaqe shëndetësore, gjatë seancave të kaluara ishte veçuar procedura për të akuzuarit Elfedin Muhaxheri, Ferid Susuri, Ferihane Sefa, Masar Gashi, Murat Abazi dhe Nexhmi Zeqiri.
Po ashtu, për të akuzuarin Daut Gorani, në seancën 16 gushtit 2023, u veçua procedura për arsye shëndetësore.
Kurse, për të akuzuarin S.Gj. dhe R.E ka pushuar procedura penale, pasi të njëjtit kanë ndërruar jetë.
Me akuzat e PSRK-së në këtë rast, (pa të akuzuarit që iu veçua procesura) u përballën 36 të akuzuar, përkatësisht, Gani Bajraktari, Afërdia Selmanaj, Hamza Selmani, Ismajl Avdimetaj, Sali Shala, Nehat Rexhepaj, Agron Besimi, Petrit Ademaj, Bajram Mziu, Agron Leka, Driton Miftari, Besim Guda, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Fisnik Hima, Luan Pazhari, Galina Berisha, Bajram Preteni, Lulzim Kamberi, Faik Shatri, Ejup Pllana, Florim Sadiku, Halim Halili, Agim Krasniqi, Hajdin Çitaku, Edmond Haliti, Besnik Koliqi, Afrim Poniku, Banush Gashi, Nebih Musliu, Dardan Koqinaj, Xhevdet Krasniqi, Lazër Prekpalaj, Rexhep Manaj, Kelmend Pallaska dhe Arlind Batalli.
Në këtë rast, të përfshirë kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani, ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 11 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë në shqyrtimin fillestar.
Agani dhe Shabani, më 1 gusht 2022 ishin liruar nga akuza, e këtë vendim e ka vërtetuar edhe Gjykata e Apelit.
Të akuzuarit në rastin “Stenta 2”, PSRK-ja i ngarkonte me veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti.
Sipas aktakuzës së PSKR-së, ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga 1 janari 2011 e deri më 31 dhjetor 2015, duke vepruar në bashkëkryerje nga pozita e mjekëve në SHSKUK, kanë keqpërdorur pozitat dhe autoritetin e tyre zyrtar, në atë mënyrë që duke i tejkaluar kompetencat e tyre si anëtarë të komisioneve konziliare të Klinikës së Kardiologjisë, me dashje dhe dijeni ua kanë lëshuar letrat referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore së paku 233 persona edhe pse të njëjtit i kishin kryer trajtimet mjekësore.
Sipas aktakuzës, një gjë e tillë ishte bërë që personave në fjalë t’ua mundësonin kompensimin e shpenzimeve nga Ministria e Shëndetësisë për trajtim mjekësor në institucione private edhe pse, siç thotë aktakuza, në bazë të nenit 53 të Ligjit mbi Shëndetësinë, Nr.2004/04, të 19 shkurtit 2014 dhe neneve 16 dhe 25 të Ligjit për Shëndetësinë Nr.04/L-125 të 13 dhjetorit 2012, letrat referuese duhej t’u lëshohej pacientëve në momentin kur konstatohej se pacientët nuk kishin mundësi të trajtoheshin brenda sistemit publik shëndetësor.
Me këto veprime të të akuzuarve, PSKR pretendonte se dëmi që i është shkaktuar buxhetit të Kosovës është 4,555,553.00 euro, e cila vlerë e dëmit ishte ndryshuar nga prokurorja speciale Florije Shamolli, në fjalën përfundimtare në 11 mijë e 430 euro.
Po ashtu, aktakuza i ngarkonte mjekët në rastin “Stenta 2” se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, ashtu që, në vend se pacientët që kanë shkuar për kontroll në institucione publike shëndetësore, t’i referonin në njësinë kompetente invazive në Klinikën Kardiologjike në SHSKUK në Prishtinë, të njëjtit pacientët i kanë referuar në spitale private dhe për këto veprimet kanë marrë ryshfet.
Sipas aktakuzës, për çdo pacient që e dërgonin për vendosjen e stentave, merrnin nga 500 euro ryshfet, ndërsa për koronarografi merrnin nga 150 euro ryshfet.
Këto veprimet të tyre, sipas PSRK-së, të akuzuarit i kishin kryer në bashkëpunim me të akuzuarit që tashmë janë të përfshirë në rastin “Stenta 3”, ku janë kryesisht pronar e mjekë të spitaleve private.
Prokuroria e Shtetit, më 15 qershor 2016 kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, ish-sekretarit të përgjithshëm të MSh Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi”.
Në ndërkohë, Prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë.
Në ketë çështje penale, hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizikë dhe 4 personave juridik. Mirëpo, për 56 persona fizikë nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet.
Mbrojtja e të akuzuarve ka ngritur dilema të shumta rreth ligjshmërisë së kësaj aktakuze, e cila sipas tyre, përveçse përmban prova të papranueshme ajo është ngritur në mënyrë të kundërligjshme nga prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi. Sipas mbrojtjes, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka kompetenca në ngritjen e aktakuzave siç ka ndodhur në këtë rast.