Ministria e Bujqësisë në krye me Faton Pecin kërkuan që përveç Policisë së Kosovës, për lirimin e zonës kadastrale ku ushtrojnë veprimtari biznesore ‘Patroni’ dhe ‘Liria’ në zonën industriale në hyrje të Prishtinës, të asistojë edhe Inspekcioni i Prishtinës. Drejtori i këtij dikasterit, Florian Dushi, për Insajderin ka thënë se kërkesa për asistim është pranuar tek dje nga komuna dhe se është dërguar pranë Zyrës Ligjore. Sipas tij, koha për shqyrtimin e rastit ka qenë e shkurtër.
Ministria e Bujqësisë bashkë me Policinë e Kosovës ia kanë vendosur shiritat dy pompave të derivateve në afërsi të objektit të AKI’së. Bëhet fjalë për ‘Patronin’ dhe ‘Liria’ të dy këto që funksion primar e kanë furnizimin me derivate.
Insajderi raportoi ekskluzivisht më herët pak para aksionit të Policisë bashkë me ministrinë e Faton Pecit për vendimin e ndërmarrë për lirimin e pronave.
Në vendimin që siguroi mediumi, thuhet se N.T.SH “Patroni”, pronë e biznesmenit milioner Habib Morina, ka pasur kontratë deri në përfundim të 2023’ës për shfrytëzimin me qira të kësaj prone.
“…Pra Patroni nga data 01.01.2024 është dashur ta liroj pronën në fjalë nga njerëzit dhe sendet për shkak se i ka skaduar kontrata. Për lirimin e kësaj prone brenda afatit N.T.SH. Patroni është njoftuar tri herë dhe atë përmes shkresës së datës 10.10.2023 nr.2057/2…”, thuhet në arsyetimin e vendimit të dikasterit të Bujqësisë.
Me të njëjtin arsyetim Ministria e Bujqësisë ka marrë vendim për lirimin e pronës së pompës së derivateve N.T.SH. “LIRIA FC”.
Gazeta Insajderi në fund të vitit të kaluar raportoi për bizneset e Habib Morinës në këtë pronë kadastrale. Ai aty shet naftë e ka restorant. Krejt këtë afarizëm biznesmeni Habib Morina nga Malisheva, pronar i firmës së karburanteve “Patroni” e bënte në tokë të shtetit për të cilën ka paguar veç 500 euro qira në muaj.
Sido që të jetë mediumi është interesuar ta pyes Komunën e Prishtinës pse s’ka qenë prezente në aksion. Drejtori i Inspektoratit të Komunës së Prishtinës, Florian Dushi, ka thënë se kërkesën e ka pranuar dje për asistim, saktësisht për rrënim objektesh përmes kompanive përgjegjëse që iu është dhënë tenderi për këto punë. Dushi megjithatë ka thënë se kërkesa është dërguar për shqyrtim ligjor tek Zyra Ligjore dhe koha ka qenë e shkurtër.
“Nuk është çështje e kurrfarë hezitimi por bazës ligjore. Unë ju kom kallëzu edhe ju kom taku edhe jam krejtësisht i gatshëm por duhet me pa bazën ligjore, sepse tejkalimi i bazës ligjore përbën vepër penale. Ata kanë kërku që na me ua ofru kompaninë e rrënimeve për me asistu që në rast se ka nevojë. Ne e mbrojmë pronën komunale, ne nuk kemi kapacitete”, ka thënë ai për Insajderin.
“Problemi është i një asistence teknike që ne iu kemi thënë në momentin që marrim konfirmimin nga Zyra Ligjore… Ne kemi kontratë me kompani, janë specifikat që parashihen aty. Kam kërkuar interpretim. Janë interesu për përvojat tona, ne kemi thanë varësisht prej rastit, ne japim një afat 15-30 ditë për me liru pronën. Ajo (kërkesa) më ka ardhë dje prej Ministrisë së Bujqësisë për sot në ora 12:00, ndërkohë që na s’kemi pasë mundësi që me shqyrtu. Ndoshta pak është edhe mungesë e përvojave të tilla, ju bjen pak më rrallë me u marrë me këto punë”, ka deklaruar ndër të tjera ai.
Pronari i ‘Patronit’, Habib Morina në një prononcim për media tha se do të presin një vendim nga gjykata për të parë se kush ka të drejtë.
“Gjykata kompetente ndoshta na jep të drejtën ose nuk na jep të drejtën, po presim një vendim të gjyjatës. Na vetëm vendimin e gjykatës e respektojmë“, tha Morina para mediave.
I pyetur se a do ta mbajnë të mbyllur objektin, Morina tha: E din Ministri, pytne atë, na s’kem çka te bejme, sepse jane 200 policë aty.
Në vendimin e Ministrisë së Bujqësisë që e publikoi më herët Insajderi, thuhet se të dy bizneset janë njoftuar tri herë për lirimin e kësaj prone, meqë kontrata iu ka skaduar në fund të 2023’ës. Sipas vendimit, ‘Patroni’ dhe ‘Liria FC’ kanë qenë të obliguara ta lirojnë pronën nga 1 janari i këtij viti. /Insajderi.org/