
Pesë zyrtarët policorë të arrestuar për “vrasje nga pakujdesia” në rastin e Agon Zejnullahut në Lipjan janë liruar nga Gjykata, shkruan Insajderi.
Lajmin e ka bërë të ditur avokati i tyre, Besnik Berisha, i cili e ka cilësuar këtë vendim si një fitore të drejtësisë ndaj padrejtësisë.
“Pesë zyrtarët policorë që padrejtësisht u paraburgosën, nga sot janë të lirë. I lumtur sa s’ka më, jo vetëm sepse drejtësia më në fund u vu në lëvizje, por sepse padrejtësia nuk mori formë të përhershme”, ka deklaruar Berisha.
Sipas tij, veprimet e policëve ishin në përputhje me detyrën dhe jo shkelje të saj.
Ai kërkoi që rasti të trajtohet në mënyrë profesionale dhe jo të ndikohet nga opinioni publik.
“Ata vepruan në përmbushje të detyrës, me kujdes dhe proporcionalitet. Gjykimi ndaj tyre duhet të jetë profesional, jo populist”, shtoi ai.
Berisha tha se do të vazhdojë të qëndrojë në krah të ligjit “edhe kur ai sulmohet nga ata që s’kanë asnjë lidhje me të”.