Lista Serbe i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti, pas deklaratës së këtij të fundit për revistën britanike, “Monocle” se do të votonte pro bashkimit me Shqipërinë në një referendum paqësor e demokratik.
Partia e Goran Rakiqit, që është edhe ministër për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë Kurti, tha se kryeministri e tregoi “fytyrën e tij të vërtetë”, duke kërkuar që Bashkimi Evropian të reagojë, raporton Gazeta Express.
“I njëjti Albin Kurti që foli kundër Asociacionit të Komunave Serbe si “bashkësi monoetnike”, tani po flet për Shqipërinë e Madhe, e cila nuk do të ishte asgjë më shumë se një krijim monoetnik. A janë këto vlera evropiane, duke u bërë thirrje përfaqësuesve më të lartë të Kosovës për të krijuar Shqipërinë e Madhe? Ne pyesim veten se çfarë tjetër duhet të ndodhë që Bashkimi Evropian, por edhe vendet e shquara të Evropës Perëndimore, të reagojnë ndaj deklaratave të tilla anti-evropiane që rrezikojnë drejtpërdrejt paqen dhe qetësinë e qytetarëve”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga Lista Serbe.
Kjo parti tha se i dënon ashpër deklaratat e Kurtit, të cilat i quajti irracionale dhe tha se “shkaktojnë ndjenjën e pasigurisë tek qytetarët”.
Kurti, tha për “Monocle” se do të votonte pro në një referendum për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Gjithsesi, ai përsëriti se referendumi do të duhej të bëhej në mënyrë paqësore e demokratike.
“Në të ardhmen nëse do të prezentohej si një referendum demokratik në mënyrë paqësore do të votoja pro, por e përsëris prap, vetëm nëse do bëhej në mënyrë paqësore dhe demokratike”, ka thënë Kurti.