Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se nuk e mirëpret bojkotimin nga Lista Serbe të punës në Kuvend dhe Qeveri, por ka thënë se veprimi i tyre nuk e rrezikon funksionimin e koalicionit.
“Nuk e rrezikon aspak koalicioni. Bojkoti nuk është zgjidhje. Nuk ka kompromis për çështje nacionale. Kjo nuk është as në të mirë të minoritetit serb”, ka thënë Veseli.
Kurse kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, ka thënë se Lista Serbe nuk mund ta shantazhojë dhe as kërcënojë Qeverinë.
“Lista Serbe nuk mund të na shantazhojë. Kjo nuk do të mund ta rrezikojë koalicionin. Ne kemi vota të mjaftueshme për funksionalizimin e koalicionit. Me shantazhim nuk do të mund të na imponojnë rrugëzgjidhjen”, ka thënë Beqiri duke komentuar bojkotimin e punës së Kuvendit dhe Qeverisë nga Lista Serbe për shkak të Ligjit për Trepçën.
Për më tepër, Lista Serbe nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit./Insajderi.com