Listat e veteranëve: Ish-prokurori Blakaj ka një paralajmërim për mashtruesit - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Listat e veteranëve: Ish-prokurori Blakaj ka një paralajmërim për mashtruesit

    Insajderi
    16 July 2025 - 09:29
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ish-prokurori, Elez Blakaj, ka reaguar pas vendimit të fundit të Gjykatës Themelore lidhur me çështjen e listave të veteranëve të luftës së UÇK-së.

    Në një postim në rrjetin social Facebook, Blakaj shprehet se vendimi i fundit nuk përfaqëson përfundimin e procesit dhe shpreh bindjen se Gjykata e Apelit do ta rikthejë çështjen në rigjykim.

    Ai kritikoi ashpër ata që, sipas tij, kanë gënjyer, manipuluar dhe shpërdoruar procesin për përfitime personale, duke u shprehur se drejtësia nuk duhet të mbyllet me vendime të përkohshme, por duhet të përmbushë misionin e saj në mënyrë të plotë.

     Ky është postimi i plotë i tij:

    Pas gati 7 vjet;sh, Gjykata Themelore në Prishtinë paska marrë vendim për rastin e veteranëve!

    Për ata që kanë mashtruar, gënjyer, shpifur si dhe për ata që kanë futur duart në rast, mos u bëni marak, sepse Apeli e kthen rastin përsëri në rigjykim!

    Miq, ky më poshtë është ligji me të cilin është bërë kategorizimi i veteranëve të UÇK-së, për të cilin qëllimisht anëtarët e Komisionit qeveritar dhe avokuesit e tyre kanë tentuar të manipulojnë opinionin publik.

    Neni 3 i Ligjit Nr. 04/L-261 – Përkufizimet

    1.3. Veteran i UÇK-së – pjesëmarrës në luftën për çlirimin e Kosovës si:

    • 1.3.1. Invalid i luftës së UÇK-së – luftëtari, pjesëtari dhe i internuari (i burgosuri) i UÇK-së, i cili ka pësuar plagë, lëndime (dëmtime) fizike dhe psikike apo sëmundje të rënda gjatë luftës ose në burgjet dhe kampet e armikut, gjatë periudhës së luftës, me shkallë të invaliditetit së paku 10%.

    • 1.3.2. Veteran luftëtar i UÇK-së – qytetari i Kosovës dhe shtetasi i huaj i cili është radhitur në radhët e UÇK-së dhe është regjistruar si ushtar i armatosur dhe i uniformuar nga komandat, shtabet e zonave operative të UÇK-së, përkatësisht Shtabi i përgjithshëm i UÇK-së dhe ka qenë aktiv deri në përfundimin e luftës.

    • 1.3.3. I internuar i UÇK-së – secili person i cili, për shkak të veprimtarisë së tij si pjesëtar i UÇK-së, është arrestuar gjatë periudhës 1997–1999 dhe mbajtur në burg nga forcat e Serbisë.

    • 1.3.4. Pjesëtar i UÇK-së – çdo person i cili, me vendim apo akt tjetër, është caktuar të kryejë detyra konkrete në mbështetje politike, logjistike, financiare dhe detyra të tjera, të marra nga komandantët e njësive, shtabeve dhe zonave të UÇK-së, përkatësisht Shtabi i përgjithshëm i UÇK-së, gjatë periudhës 1997–1999.

    • 1.3.5. Pjesëmarrës në luftë – ushtari që është radhitur në radhët e UÇK-së, ka qenë i angazhuar në mënyrë aktive për të kontribuar në luftë, por për arsye të ndryshme i ka lëshuar radhët e UÇK-së para përfundimit të luftës.

    • 1.3.6. Ushtar i zhdukur (i pagjetur) i UÇK-së – veterani ose pjesëtari i UÇK-së, fati i të cilit ende nuk është zbardhur.

    Të gjitha këto kategori të lartcekura janë veteranë dhe duhet të vlerësohet e respektohet kontributi i secilit!

    Sipas Ligjit Nr. 04/L-261, të gjitha kategorive të sipërpërmendura u garantohen beneficione dhe përparësi, por PAGESË/PENSION, sipas këtij ligji, marrin vetëm Invalidi i luftës së UÇK-së dhe Veterani luftëtar i UÇK-së — dhe pikërisht KJO pagesë/pension ka qenë pika e kthesës ku procesi ka devijuar seriozisht!

    Përkufizimi dhe kategorizimi i lartcekur është produkt 100% i Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranit të UÇK-së, i cili në fazat e mëvonshme të verifikimit, bashkë me mekanizmat e tij, e ka zbatuar këtë ligj sipas dëshirës!

    Miq, manipuluesit dhe avokuesit e tyre qëllimisht e përdorin vetëm shprehjen VETERANË në debate publike, me qëllim që të krijojnë mjegull dhe shfajësim, duke e shmangur kategorizimin e tyre, ani pse e dinë shumë mirë që pension, sipas këtij ligji, marrin vetëm dy kategori: Invalidi i luftës së UÇK-së dhe Veterani luftëtar i UÇK-së.

    Kështu thotë ligji e të tjerat janë dëshira, e para se të bëhej ligj ka thënë ky komision, i cili më vonë është penduar… por ka qenë vonë!

    VAZHDON!


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark