
Në 27-vjetorin e rënies heroike të Fehmi e Xhevë Lladrovcit, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka ndarë një mesazh përkujtimor.
Ai ka thënë se sakrifica e tyre mbetet udhërrëfyes për brezat, duke i cilësuar si shembull të rrugës së lirisë, fitores dhe nderit.
“27 vjet dhimbje e krenari, Feha e Xheva, bashkë në jetë, bashkë në përjetësi. Ata na udhëzuan se cila ishte rruga e lirisë, rruga e fitores, rruga e nderit me përkushtimin e pathyeshëm atdhetar. Vitet, dekadat dhe shekujt do të rrjedhin, ndërsa liria jonë do të matet me flijimin epik që ia dhuruan kombit. Idealet e tyre jetësohen me punë të ndershme, fuqizimin e shtetit e barazi para ligjit. Më 22 shtator 1998, me Fehën dhe Xhevën, rrugën e përjetësisë e morën Fatimja, Shefqeti, Behxheti, Milazimi dhe Hamiti”.
“Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Lavdi jetës dhe veprës heroike të Fehmi e Xhevë Lladrovcit, Fatime Hetemit, Shefqet Zekës, Behxhet Karaxhës, Milazim Karaxhës dhe Hamit Lladrovcit! Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të kombit!”, shkroi ai.