Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Ramiz Lladrovci, emri i të cilit është përmendur si kandidat i mundshëm i Partisë Demokratike të Kosovës për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas, ka thënë se deri më tani askush nga kjo parti nuk e ka kontaktuar lidhur me këtë çështje.
Por, ai lë të hapur mundësinë e kandidimit në rast se i kërkohet.
“Më duhet të sqaroj se, nëse Kryesia e Partisë Demokratike dhe drejtuesit e lartë të saj do të më ofrojnë marrjen përsipër te kandidimit tim në detyrën e Kryetarit të Komunës së Drenasit, vendlindjes sime, atëherë do të jem i gatshëm që, dukë e lënë detyrën e ambasadorit të Republikës së Kosovës në Tiranë, t’i përkushtohem nëse detyre të re, dhe këte do e bëja me të gjithë atë perkushtim që kam realizuar me punë edhe funksione të tjera,” ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.
Drenasi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme pasi që Gjykata e Apelit ia ka vërtetuar dënimin me burg ish-kryetarit Nexhat Demaku.
Presidenti Hashim Thaçi tashmë ka filluar konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve./Insajderi.com