Pas intervistës së mbrëmshme të Gani Gecit ka reaguar edhe Ramiz Lladrovci, i cili ka kërkuar nga ai që të mos e bëjë gjyqtarin në “debatin e hapur rastësisht meje dhe Rexhep Selimit”.
“Ai, Geci, duke cituar një thënie, që nuk e kam dëgjuar kurrë, nga një epror i UÇK-së, nga familja Jashari, deklaroi se pas luftës zoti Selimi paska qenë i kërcënuar. Këtë pohim të tij nuk e di dhe as nuk e kam dëgjuar kurrë. Mendoj se është shtesë në një debat ku nuk e ka thirrur askush të bëjë gjyqtarin”, ka thënë ambasadori i Kosovës në Shëqipëri.
Për më tepër, ai e thotë se Gani Geci nuk dukej në ato vende ku zhvillohej lufta.
“Por, duke lënë prapa të djeshmen, habitem se si një njeri, i cili, ku ishte lufta, nuk ishte ai, dhe ku ishte ai, nuk kishte luftë, argëtohet sot, me atë që synoi të bënte ndaj disa figurave të shquara, që sot janë Heroj të Kosovës, e disa edhe heroj të kombit shqiptar”, ka shkruar Lladrovci në llogarinë e tij në Facebook.
Fillimisht, Lladrovci kishte shkëmbyer akuza të rënda me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, para se kësaj ‘lufte virtuale’ ti bashkohej edhe Geci.
Gjithcka nisi kur Rexhep Selimi kishte thënë se familja e Adem Jasharit nuk do ta donte Hashim Thacin për president të vendit, deklaratë kjo që nxiti reagimin e Lladrovcit.
Ai e akuzoi Selimin se ishte ai që ka tradhtuar Jasharin dhe për më tepër kishte kërkuar vrasjen e 10 ushtarëve të UCK-së.
Për intervistën e Gecit ka reaguar më gjatë ditës edhe Rexhep Selimi, të cili e ka quajtur vrasës të shumëfishtë./Insajderi.com