Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka njoftuar se ka kërkuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal që që ta njoftojë Qeverinë e Republikës së Kosovës për mosfunksionimin e Kuvendit të Komunës së Drenasit.
Lladrovci tha se se duhet të shpërbëhet Kuvendi i Drenasit, dhe t’i kthehet mandati qytetarit me zgjedhje të reja.
“Për shkak të mosfunksionimit të Kuvendit, është në mandatin e Qeverisë ta shpërndajë Kuvendin e Komunës së Drenasit dhe legjitimiteti të kthehet te qytetari. Kam konstatuar se me mosfunksionimin e Kuvendit, është rrezikuar buxheti i Komunës, bartjet e mjeteve buxhetore për realizimin e shumë projekteve kapitale, rrjedhimisht papërgjegjshmëria e Kuvendit po rrezikon ushtrimin e të drejtave themelore të qytetarëve të komunës së Drenasit.
Në shkresë, drejtuar edhe institucioneve relevante, kam evidentuar se Kuvendi i Komunës së Drenasit, është pa Kryesues të Kuvendit, pasi që 16 asamblistë, prej tyre 6 asamblistë të DD, 5 ish asamblistë të PDK, 4 të Vv dhe një asamblist i Green, më 6.6.2024, kanë shkarkuar Kryesuesin, Milaim Hajdari”, tha Lladrovci.