
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, pas publikimit të një audio-incizimi ku përmenden miliona euro dhe prona të Komunës, tha se nuk shantazhohet dhe se incizimi është i prerë dhe i sakatuar.
Në konferencë për media, Lladrovci tha se vendimet i merr gjykata dhe se komuna i ndjek procedurat ligjore. Ai shtoi se çdo marrëveshje për pronat duhet të kalojë përmes Kuvendit të Komunës.
“Vendos gjykata sipas vendimit të saj dhe ne i ndjekim procedurat, në momentin kur unë kam qenë duke kryer projektin e parkingut për qytetarë që e kanë shërbim pa pagesë ne kemi dërguar kërkesë për lirimin e pronës. Me keqardhje gjykata ka vazhduar këto procedura me shmangien e detyrës së saj. Në momentin që kemi marrë masat në ora 15:55 e kemi marrë shkresën e Gjykatës së Apelit ku pezullon vendimin tonë dhe kthen lëndën në rigjykim. Çdo vendim e pranoj, kur nuk pajtohem ndjek procedura. Krejt problemi i auto-incizimit është kjo pronë ku pronarët kanë provuar të më shantazhojnë, për fat të keq kanë gjetur njeriun e gabuar, se unë nuk shantazhohem. Çfarëdo marrëveshje që kisha bërë me pronarin pa kaluar në Kuvendin e Komunës nuk kishte mundur të jetë e zbatueshme. Nuk mundemi pronën me 10 ari sepse kam 10 hektarë e 32 ari pronë për të cilën kemi plan ndërtim të lartë. Ne i kemi thënë edhe atij që e ka publikuar video-incizimin, është i prerë e i sakatuar dhe ftojmë të kërkojë video-incizimin e plotë të atij që ka incizuar. Ne jemi në proces hetimor”, tha Lladrovci.