Deputetët e partisë në pushtet, përveç disave që vijnë nga Podujeva, nuk e përkrahën amandamentin në Projektbuxhetin 2023, në të cilin kërkohej të shtohej buxheti nga 6 në 12 milionë euro për zgjerimin e rrugës Podujevë- Prishtinë. Në këtë mënyrë, u vendos me vota të deputetëve të Kuvendit, me votat e pozitës, që i bie të deputetëve të VV-së, që Llapi të vazhdojë të mbetet i izoluar edhe më tutje, i anashkaluar fare edhe nga pushteti aktual dhe rrjedhimisht banorët e kësaj zone do të vazhdojnë të mbesin të rrezikuar nga aksidentet e perditshme të trafikut, shumë prej të cilave tragjike dhe me viktima jo të pakta për shkak të komunikacionit të dendur dhe kolonave të pashkëputshme përgjatë tërë rrugës.
Podujeva, një zonë me afro 100 mijë banorë dhe në afërsi të drejtpërdrejtë me kryeqytetin, qëkur mbeti pa u përshkuar nga Autostrada e Kombit, dhe njëkohësisht pa zgjerimin e rrugës ekzistuese Podujevë-Prishtinë, mbeti “zorrë qorre’ e Republikës. Por, ç’është më keq, ka shumë gjasë që edhe më tutje, në vitet në vazhdim, kjo zonë, e mirënjohur me emërtimin Llapi, për shkak të lumit Llap që e përshkon përgjatë gjithë shtrirjes gjeografike, të mbetet thuaja e izoluar dhe pa rrugën e rindërtuar të domosdoshme që lidhë Podujevën me Prishtinën. Sepse, siç është njoftuar, Kuvendi i Kosovës, dje nuk e miratoi amandamentin që parashihte dyfishimin e buxhetit (më se të domosdoshëm) për të përfunduar, ose përafruar përfundimin e punëve për zgjerimin e kësaj rruge, punë këto që kanë filluar qysh në vitin 2016.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, në seancën e mbajtur më 15 dhjetor, nuk e kanë miratuar njërin prej amendamenteve në Projektbuxhetin për vitin 2023, në të cilin parashihej e kërkohej dyfishimi i buxhetit për përfundimin e rrugës Prishtinë-Podujevë. Në Projektbuxhetin e shtetit për vitin 2023, Qeveria e Kosovës në mesin e shumë projekteve infrastrukturore që ka paraparë të përfundojnë në vitin e ardhshëm, për projektin e rrugës Prishtinë-Podujevë kishte prezantuar një shumë prej vetëm 6 milionë eurove, derisa projektet e tjera është parparë që të mbështeten me shuma shumë më të larta, përcjell Buletini Ekonomik.
Sipas deputetit Driton Hyseni, njëkohësisht propozues i amendamentit në fjalë, për të përfunduar kjo rrugë, tha se patjetër që duhet të shtohen edhe 6 milionë euro të tjera, duke shtuar se dyfshimi i këtij buxheti është njëherësh edhe domosdoshmëri dhe kërkesë e qytetarëve të asaj ane.
“Projektit të ndërtimit të rrugës Prishtinë-Podujevë (zgjërimit të sajë), shumës aktuale që është planifikuar në buxhetin për vitin 2023, t’i shtohet shuma prej gjashtë milionë euro. Pra, të dyfishohet dhe të kemi 12 milionë euro gjithsej për këtë projekt”, tha Hyseni me këtë rast.
Por, këtë amendament nuk e përkrahën deputetët e tjerë të partisë në pushtet, përveç disave që vijnë nga Podujeva. Ndërkohë, partitë opozitare, e mirëpritën këtë amandament (për këtë amandament votuan gjithsej 75 deputetë, prej të cilëve 37 votuan pro, 34 kundër dhe katër abstenime).
Në këtë mënyrë, edhe më tutje u vendos me vota të deputetëve të Kuvendit, me votat e pozitës, që i bie të deputetëve të VV-së, që Llapi të vazhdojë të mbetet i izoluar dhe i anashkaluar fare nga pushteti aktual dhe banorët e kësaj zone edhe më tej do të vazhdojnë të mbesin të rrezikuar nga aksidentet e perditshme të trafikut, shumë prej të cilave tragjike dhe me viktima jo të pakta për shkak të komunikacionit të dendur dhe kolonave të pashkëputshme edhe përgjatë tërë rrugës.
Kjo është gjendja reale aktuale, por edhe pasojat e moszgjerimit të rrugës Podujevë-Prishtinë, që është më e ngarkuara absolutisht në gjithë Kosovën dhe kush do ta shohë këtë ngarkesë, le të udhëtojë vetëm një herë dhe në çfarëdo kohe për të parë kolonat dhjetëra kilometërshe të pashkëputura në asnjë segment të rrugës dhe në asnjë moment.
Thënë më konkretisht, siç ka raportuar edhe në disa raste më herët Buletini Ekonomik, Kuvendi i Kosovës me injorimin e këtij amendamenti dhe Ministria e Infrastrukturës me përcakimin për të dedikuar vetëm 6 milionë eurove për vitin 2023 për zgjerimin e rrugës Podujevë-Prishtinë, thjesht, janë treguar skajshmërisht cinikë me llapjanët, të cilët po vazhdojnë të presin në ankth tani e 7 vjet, për fatin e rrugës aq të rëndësishme për ta, për diasporën dhe për tërë vendin.
Pse u la fare në margjina edhe sivjet dhe në vitin e ardhshëm nga pushteti qendror, magjistralja Podujevë-Prishtinë, aq e rëndësishme për rajonin e Llapit, për mërgimtarët e panumërt dhe për tërë vendin?
Magjistralja Podujevë- Prishtinë, e bërë tash e sa vjet realisht “rrugë e mortit”, pos me rastin e aksidenteve të rënda dhe me viktima kur bëhej temë e medieve kosovare, për vite të tëra nga zyrtarët sikur nuk dihej që ekziston. Për vite të tëra pas luftës, praktikisht, pra nuk u kujtua kurrë asnjë nga qeveritë e atëhershme, as ndonjë ministër kosovar kompetent, as ata të infastrukturës, që e patën edhe obligim edhe detyrë të bashkëndjejnë edhe për viktimat e çdoditshme që pësonin në rrugën e ngulfatur nga trafiku i dendur, por edhe të preokupohen nga nevojat reale të qarkullimit në këtë rajon të vendit.
Për magjistralen Podujevë-Prishtinë, asnjëherë, së paku publikisht nuk u dëgjua nga përfaqësuesit e llapjanëve në Kuvendin e Kosovës, asnjë kërkesë e vetme për ta zgjeruar dhe për ta ripërtërirë këtë rrugë (pos kësaj të fundit të Driton Hysenit). Rruga Prishtinë-Podujevë u anashkalua edhe nga ndërtimet e autostradës së Kombit, me ç’rast vendimmarrësit e atëbotshëm, në krye me ministrin e Infrastrukturës, Fatmir Limajn, pa shumë shpjegime e lanë rajonin e Llapit, “zorrë qorre’ dhe fare të izoluar në kuptimin e modernizimit dhe ndërtimit të infrastrukturës rrugore. Dhe, pikërisht, para 10 e më shumë vjetësh, dikush u kujtua se është i domosdoshëm intervenimi në këtë magjistrale kaq jetike për një rajon të tërë të vendit, por edhe për qarkullimin ndërkombëtar, pasi që nëpër këtë rrugë kalojnë mbi 80 për qind të automjeteve nga Serbia, që transportojnë mallra në Kosovë dhe përtej saj, por edhe shumica absolute e mërgatës sonë në ardhje-vajtje në vendlindje.
Por, edhe pse për të gjithë, edhe për zyrtarët, edhe për publikun, dihet që rruga Podujevë – Prishtinë, është një ndër arteriet e rëndësishme dhe jetike të qarkullimit rrugor (të njerëzve dhe të mallrave) në vendin tonë, dhe të ndërlidhjes së qendrave të ndryshme me botën, edhe pse po bëhen 6-7 vjet qëkur është nisur zgjerimi i kësaj rruge, dhe pakuptimisht dhe pashpjegueshëm, në gjithë këto vite janë vonuar punimet, janë prolonguar afatet dhe në këtë mënyrë qarkullimi po vazhdon të mbetet i vështirësuar dhe me rreziqe potenciale për aksidente fatale, ajo prapë u la fare në margjina edhe sivjet dhe në vitin e ardhshëm. Sepse, ndër pesë projektet infrastrukturore që u është ndarë buxhet për vitin 2023, edhe pse për rrugën Podujevë – Prishtinë është ndarë një “fije” buxheti, ose më saktësisht me buxhetin e 2023-shit janë paraparë të dedikohen 6 milionë euro, kjo shumë për 18-20 kilometrat e mbetura ‘të paprekura” tash e 6-7 vjet, është fare e papërfillshme, është sa për të thënë se “ja po bëjmë diçka edhe për këtë rajon” të lënë në harresë tash e 23 vjet, është, në njëfarë mënyre shpenzim i kotë i këtyre parave, sepse me to, nuk mund të bësh ndonjë punë të shënueshme dhe të efektshme në këtë rrugë, ku kanë mbetur edhe 20 kilometra të paprekura.
Me këtë shumë parash të dedikuara për rrugën magjistrale Podujevë – Prishtinë, Ministria e Infrastrukturës po tregon troç se nuk i intereson fare ndërtimi (zgjerimi e rehabilitimi) i kësaj rruge, e cila edhe deri tash ka qenë fare e anashkaluar nga pushteti qendror dhe ai lokal për shkak të vonesave jashtë çdo logjike investimesh e ndërtimesh, qoftë edhe rrugore. Dhe, çuditërisht, për këto prolongime, zvarritje afatesh dhe zhagitje punësh, në institucionet zyrtare kompetente nuk është shprehur ndonjë shqetësim, merakosje ose edhe ndonjë premtim më bindës për përfundimin e kësaj rruge në ndonjë afat të pritshëm. Nuk pati asnjëherë ndonjë përgjigje të pranueshme dhe të përshkruar me ndonjë të dhënë të besueshme as në Ministrinë e Infrastrukturës, as nga ministri aktual i kësaj ministrie, Liburn Aliu, i cili, së paku deri tash, as që e ka parë të nevojshme të sqarojë për shkaqet reale të këtyre vonesave. Dhe, nuk pati ndonjë shpjegim të pranueshëm as tani me rastin e ndarjes së buxhetit për vitin 2023, me ç’rast për magjistralen Podujevë – Prishtinë u parapa ‘lëmosha” prej 6 milionësh, ndërkohë që për Autostradën e Gjilanit, janë parashikuar 27 milionë euro, për projektin e rrugës Prishtinë-Mitrovicë 21 milionë euro, për rrugën Dollc-Gjakovë-11 milionë euro, dhe për atostradën Kievë-Zahaq 4 milionë euro. Por nuk pati shpjegim as në seancën e fundit të Kuvendit të kosovës, kur nuk u votua amendamenti që kërkonte të dyfishohet buxheti për vazhdimin e punëve në këtë rrugë, raporton Buletini Ekonomik.
Pa pretenduar në asnjë moment të zbehim dhe ta zvogëlojmë rëndësinë e rrugëve për të cilat janë paraparë goxha para (autostrada Kijevë-Zahaq, siç është njoftuar shumë herë deri tani do të ndërtohet me mjete financiare të institucioneve ndërkombëtare), rruga Podujevë – Prishtinë ka rëndësi edhe për vendin, së paku po aq sa kanë rëndësi rrugët e sipërpërmendura, për të cilat Ministria e Infrastrukturës u tregua edhe kësaj radhe goxha solidare. Pas këtyre parashikimeve për investime në vitin vijues në rrugët e mbetura kaherë në gjysmë, bëhen edhe më të pakuptueshme fjalimet e shpjegimet e përsëritura të ministrit Aliu në fajësimin e qeverive të deritashme për dështimet për finalizimin dhe përmbylljen e punimeve në këtë rrugë, ose në problemet që janë paraqitur rreth shpronësimit të tokave ku kalojnë rrugët e nisura.
Nuk është se nuk kanë përgjegjësi për vonesat e ndërtimit të kësaj maqjistraleje edhe qeveritë e kaluara dhe minsitrat e kaluar të infrastrukturës, por doemos kjo qeveri, dhe ministri aktual i saj Aliu, është pritur nga banorët e Llapit që më në fund të reflektojnë dhe ta marrin njëherë e mirë përgjegjësinë për përfundimin e kësaj rruge, që për shkak të dendësisë së qarkullimit dhe numrit të aksidenteve, vazhdon të quhet në opinion edhe “magjistralja e vdekjes”.
Për të painformuait, po e përsërisim dhe po përkujtojmë të dhënat konkrete për punët e deritashme që kanë zgjatur afër 6-7 vjet në rrugën Podujevë-Prishtinë. Deri tash, brenda këtyre 6-7 vjetësh janë ndërtuar, por jo edhe finalizuar, vetëm diku rreth 10 kilometra të kësaj magjistraleje. Ose, më konkretisht, deri tash kjo magjistrale është zgjeruar nga Podujeva vetëm deri afërsisht në hyje të fshatit Lluzhan. Pjesa tjetër, që është traseja dominuese prej 18-20 kilometrash deri në Prishtinë, as që dihet kur do të fillojë së ndërtuari.
Ministri Liburn Aliu, në një nga seancat e mbajtura në fillim të muajit prill në Kuvendin e Kosovës, kishte thënë se “për pjesën e mbetur të magjistrales Prishtinë-Podujevë, pjesa nga Lluzhani deri në Besi është në projektim e sipër”.
Se si do të vazhdojnë punimet në rrugën ‘e vdekjes’ me 6 milionët e parapara për vitin vijues, duhet ta dijnë deputetët që me aq zell nuk e miratuan amendamentin e sipërfolur, ministri, por edhe zëvendësi i tij, i cili nuk ngurron të proklamojë publikisht se rruga Podujevë-Prishtinë, do të finalizohet brenda vitit 2023. Si dhe qysh, ndoshta e din vetë Hysen Durmishi. Nuk është lehtësisht i pranueshëm edhe arsyetimi se parashikimi i vetëm 6 milionë eurove për këtë rrugë për vitin 2023, është bërë për mungesë të parave në Ministrinë e Infrastukturës. Sepse, sipas të dhënave, kjo ministri, ende nuk i ka shpenzuar mjetet financiare buxhetore të dedikuara për vitin 2022. Madje, siç theksojnë burime të Buletinit Ekonomik, brenda këtij dikasteri, kanë mbetur boll shumë para nga buxheti i sivjetshëm, të pa shfrytëzuara.
Ndërsa, vet ministri Liburn Aliu, kohë më parë gjatë raportimit para Komisionit për Mjedis të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se për dikasterin që udhëheq për vitin 2023 janë ndarë 251 milionë e 684 mijë e 833 euro.
“Koncentrimin e projektit 2023 e kemi bërë kryesisht në projekte madhore, të cilat duhet të përfundojnë në ato segmente të koncentruara gjatë vitit 2023. Autostrada Prishtinë-Gjilan-Konçul për vitin 2023 janë të planifikuara 27 milionë euro, në buxhetin e vitit 2022 kanë qenë 5 milionë euro, zgjerimi i rrugës Dollc-Gjakovë në planifikimin e vitit 2023 janë paraparë 11 milionë euro, në buxhetin e vitit 2022 kanë qenë 2.25 milionë euro, ndërtimi i rrugës Prishtinë-Podujevë janë paraparë 6 milionë euro, ndërsa kanë qenë 1. 1 milionë euro. Riparimi rrugës rajonale Prizren-Prevallë janë 6 milionë euro për vitin 2023, kanë qenë 2 milionë euro në vitin 2022. Zgjerimi i rrugës Prishtinë-Pejë, kanë qenë 400 mijë euro në vitin 2022 dhe në vitin 2023 i kemi ndarë 4 milionë euro”, tha ai me këtë rast.
Me fjalë të tjera, Ministria e Infrastrukturës ka para, por nuk ka vullnet as politik që të finalizohet kjo rrugë, dhe njëherë e mirë të zgjidhet problemi i madh për Llapin. Ndërsa, rruga Podujevë-Prishtinë, vazhdon të mbetet ankthi i madh i llapjanëve, i banorëve të këtyre trevave, bizneseve të kësaj ane dhe udhëtarëve të çdoditshëm që frekuentojnë këtë rrugë, e që janë të shumtë, ndër ta edhe kosovarët mërgimtarë. Të gjithë këta do të vazhdojnë të vuajnë pasojat e zvarritjes së zgjerimit të kësaj rruge. Do të vuajnë nga vështirësitë që u dalin si pengesë e pazgjidhshme për shkuarje-ardhjen në kryeqytet, me të cilin janë aq shumë të ndërlidhur, nga vështirësitë që u shkakton rruga tepër e ngarkuar me qarkullim për të transportuar lëndën e parë dhe pastaj produktet nga bizneset e tyre, por edhe nga vështirësitë që ua kanë shkaktuar tash e një kohë kompanitë ndërtuese në dëmtimin e tubacioneve të ujësjellësit, që asnjëherë më pastaj nuk i kanë riparuar.
Problem shumë i ndjeshëm nga zvarritja e zgjerimit të kësaj magjistraleje dhe rrezik permanent, kjo rrugë është edhe për nxënësit e shumë shkollave të kësaj ane. Dhe, pa zgjerimin e tërësishëm të rrugës në tërë gjatësinë e saj prej afërsisht 30 kilometrash, sikundër që është bërë tashmë në gjatësinë Podujevë-Lluzhan, nuk ka zgjidhje të problemit. Pa zgjerimin e planifikuar të rrugës edhe më tutje do të ketë aksidente, edhe më tutje do të ketë viktima. Prandaj, tashmë janë bërë aq ‘bajate’ dhe të pa pranueshme, arsyetimet e MMPHI-së për pengesat rreth shpronësimeve, gabimet në projektet kryesore dhe mospagesa të pronave me kohë, përkatësisht shpronësimeve të deritashme si dhe buxhetit të mangët ndër vite për këto projekte.
Tashmë vetëm për një fakt dihet saktësisht rreth magjistrales Podujevë-Prishtinë. Dihet, pra se dita ditës po shtohen aksidentet tragjike, viktimat e reja të aksidenteve enorme numerikisht, si pasojë e ngulfatjes së kësaj rruge në shumë pika të saj, nga trafiku i dendur dhe nga qarkullimi i madh i automjeteve dhe udhëtarëve në këtë rajon të vendit. Rruga duhet ndërtuar. Dhe duhet gjetur paratë e nevojshme për finalizimin e kësaj magjistraleje. Këto para nuk janë edhe aq shumë sa të mos ketë asnjë mundësi Kosova që t’i sigurojë ato. Dy-tre kilometra të autostradave të deritashme, që Kosova i ndërtoi me mjete të veta, pra me paratë e taksapaguesve të vendit, kaq, pak a shumë është kostoja e kësaj rruge. Ndërsa, vështirësitë, qofshin edhe fakte, që në disa raste vazhdojnë t’i potencojnë zyrtarët, kanë qenë të ditura edhe para se të fitojë pushtetin koalicioni aktual qeveritar. Premtimet, duhet përmbushur. Dhe përmbushja ka një emër: të përfundojnë dhe të finalizohen të gjitha projektet rrugore të reja dhe ato të trashëguara nga pushtetet e mëparshme. Mosrealizimi i premtimeve është edhe zvarritja e pafund e finalizimit të magjistrales Prishtinë-Podujevë.