"Llogaria bankare e komunës e bllokuar, ai bleu veturë 67 mijë euro", Kryetarit të Strugës i ngritet aktakuzë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “Llogaria bankare e komunës e bllokuar, ai bleu veturë 67 mijë euro”, Kryetarit të Strugës i ngritet aktakuzë

    Insajderi
    01 March 2024 - 21:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetari i Strugës, Ramiz Merko, ka përfunduar me aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

    Shkak është bërë blerja e makinave, përfshirë edhe veturën luksoze Audi, në periudhën kur komuna e Strugës kishte llogari të bllokuara bankare, shkruan Alsat.

    Që në vitin 2020 Komisioni kundër korrupsionit ka dorëzuar nismë për ndjekje penale të Merkos për blerjen e automjetit me vlerë 67 mijë euro. Kështu ka bërë të ditur në brifing me gazetarët, kreu i Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazi së bashku me prokurorë të tjerë.

    Lidhur me blerjen e qendrës tregtare “Soravia” nga nipi i Ali Ahmetit, Drin Ahmeti, prokurorët thanë se njësitet e MPB-së punojnë në mënyrë aktive për mbledhjen e dokumentacionit. Mirëpo, ata nuk janë përgjigjur nëse ka dëshmuar edhe Drin Ahmeti.

    Prokuroria bën me dije se hetimi paraprak përfshin kundërzbulimin financiar dhe Drejtorinë e të Ardhurave Publike si dhe konstatohet lidhja e personave në këtë rast me institucionet shtetërore. Të dhëna kërkohen edhe nga Fondi i Inovacionit, Ministria e Brendshme, si dhe të dhëna nga vendet e treta pa specifikuar se cilat.

    Prokurorët ndanë edhe informacione për rastin “Bektel & Enka”. Ata shqyrtojnë prokurimin publik për përzgjedhjen e kompanisë që duhet të mbikëqyrë ndërtimin si dhe aktet ligjore. Ata thonë se janë duke bashkëpunuar me Entin e Revizionit dhe se është mbledhur dokumentacion i gjerë.

    Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar njoftoi se së shpejti do të merret vendim për ndërtimin e spitaleve modulare, për të cilat janë mbledhur të dhëna nga Ministria e Shëndetësisë, ajo e Transportit dhe Lidhjeve, si dhe Banka Botërore.

    Në rastin e ndërtimit pranë Holiday Inn, prokurorët nuk konstatuan dëme në buxhet. Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski nuk do të ndiqet penalisht për rastin me stacionin e kontrollit teknik Via Komerc, për të cilin Spasovski nuk e ka nënshkruar vendimin për mbylljen e tij, edhe pse në të janë konstatuar parregullsi.

    Abazi, i pyetur për kritikat e Komisionit kundër korrupsionit që shumë gjetje nuk janë shndërruar në aktakuza, ka thënë se shumica e tyre janë bosh dhe nuk ka bazë për të vepruar sipas tyre.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark