Sulmuesi Azdren Llullaku që luan në kampionatin e tretë rumun iu ka bërë me dije medieve lokale se Kosova nuk u largua nga fusha për të fituar në tavolinë, mirëpo shkaku që u prekën nga thirrjet e tifozëve “Serbia, Serbia”.
36-vjeçari që është top golashënues në kampionat në një intervistë për “Fanatik” është i bindur se Kosova u largua nga fusha shkaku i dhimbjeve të mëdha që kanë pasur nga Serbia.
“Do të largoheshin nga fusha edhe sikur të ishin duke fituar 3:0. E pashë lojën në televizion. Më vjen keq që ndodhi në atë mënyrë. Është e qartë. Për aq sa di lojtarët ishin gati të largoheshin sapo tifozët rumunë i nisën thirrjet “Serbia, Serbia”.
“Jam 100 për qind i sigurt se nuk e kanë bërë këtë për t’i fituar tre pikë në komisionin e UEFA-s. Ka shumë dhimbje sepse vazhdon kështu. Duhet të kuptoni se kosovarët kanë qenë në luftë. Kemi familjarë që kanë vdekur në luftë. Unë ika nga atje, pashë gjithçka”.
“Është një plagë që s’është e mbyllur. Më besoni, kur dëgjoni “Serbia, Serbia” është shumë e dhimbshme. Për të mos ndodhur sërish, e morën vendimin për t’u larguar nga fusha”.
“Aq sa dëgjova nga Amir Rrahmani, i tërë stadiumi bërtitke “Serbia, Serbia”. Nëse do të ishin katër ose pesë thirrje, në rregull, nuk është problem. Por, kur një stadium i plotë e thotë, atëherë nuk bën. Për ne kosovarët është shumë e dhimbshme. Më mirë nëse më ofendon me nënë”.
“Po iu jap një shembull që ta kuptoni. Nëse në një ndeshje të palestinës dëgjon “Izrael, Izrael”. Si mendoni se do të ndihen lojtarët e Palestinës kur e dinë se mijëra fëmijë kanë vdekur nga bombat. Po iu them se është e dhimbshme sepse e kam kaluar”.
“Personalisht, kur u largova shtëpia ime ishte e djegur. Na bombarduan nga mbrapa, djathtas dhe majtas, kishim vetëm një rrugë drejt malit për në Malin e Zi. Mund të shihnit vetëm shkatërrim, shtëpi të djegura, njerëz të vdekur. Janë plagë të thella që na kanë dhembur shumë. Është shumë vështirë që ta kuptoni, sepse fatmirësisht nuk keni qenë në luftë”.
“E vendos dorën time në flakë sepse nuk kanë ikur për rezultat. E di që askush nuk më beson, por e di mentalitetin e kosovarëve. E përsëris, nuk ka të bëj me largimin nga fusha për një fitore në tavolinë. Ata siç u ndjenë u reaguan”.
Ai ndër të tjera shtoi se Rumania do ta fitojë përballjen në UEFA mirëpo që beson se Kosova nuk do të përjashtohet nga kompeticioni.
“Jam i bindur se Rumania do t’i marrë pikët e plota sepse gjyqtari fishkëlloi për përfundimin e lojës dhe lojtarët e Kosovës nuk dolën në fushë. Por, nuk mendoj se Kosova do të përjashtohet nga kompeticioni”.
“Sa i përket ndeshjes, Kosova ishte më e mirë në Bukuresht. Ndoshta Rumania kishte një ditë të keqe. Në Prishtinë, Rumania luajti më mirë dhe fitoi 3:0”.