Personaliteti i famshëm i rrjeteve sociale, Logan Paul, po dyshohet se ka mashtruar tifozët lidhur me investimet në kriptovaluta. “BBC” ka parë dëshmi të reja që Logan Paul ka promovuar investime pa zbuluar se ai kishte interesa financiare në to.
Ndikimi i Paulit – që në kanalin e tij në YouTube ka mbi 23 milionë përcjellës – duket se ka shkaktuar rritje të çmimeve në këto investime, ndërsa po mendohet se ai ka përfituar nga shitja e tyre më pas.
Paul aktualisht po përballet me një padi multimilionëshe për dështimin e një kriptoprojekti të quajtur “CryptoZoo”.
Ai ka mohuar akuzat.
“BBC” ka zbuluar se pak para se Paul të shkruante në Twitterin e atëhershëm për një kriptomonedhë të caktuar në vitin 2021, një kuletë anonime e kriptovalutave me lidhje të ngushta me kuletën e tij publike kishte bërë tregti.
Ajo kuletë anonime përfitoi 120 mijë dollarë.
“Time Magazine” kishte njoftuar për një aktivitet të ngjashëm po ashtu.
Për disa muaj, Paul ka refuzuar të fliste me BBC-në për hetimin. Por, ai ftoi më pas ekipin që ta intervistonin në Porto Riko.
Megjithatë, kur ekipi i BBC-së arriti, në vend të YouTuberit u shfaq një sozi e tij, i ndjekur nga një turmë që fyente ekipin e BBC-së.
Pak pasi u largua ekipi, avokatët e Logan Paul, dërguan një letër, duke paralajmëruar për pasojat nëse publikohen zbulimet.
Logan Paul ka krijuar famë me videoklipe të shkurtra, fillimisht në platformën tashmë të mbyllur Vine e më pas në YouTube.
Rreth tre vjet më parë, videot e Paulit përmendnin, gjithnjë e më tepër, kriptot.
Në vitin 2021, Paul promovoi kripto-tokena të quajtur “meme coins”, që njihen si të rrezikshmërisë së lartë.
Zakonisht “meme coins” krijohen duke u inspiruar nga shakatë në internet apo “memet” dhe përkrahen nga komuniteti në internet.
Ato nuk kanë qëllim tjetër pos të tregtohen dhe, pasi nuk kanë një vlerë të brendshme, vlera e tyre mund – dhe shpesh bie – në zero.
Paul lartësoi një “meme coin” që kishte si temë Elon Muskun, të njohur si Elongate.
“Elongate më bëri të pasur”, kishte thënë Paul.
Paul kishte bërë këtë njoftim për Maverick Club, klubi i tij i fansave të abonuar.
Çmimi i Elongate ishte rritur mbi 6000 për qind në nivelin më të lartë të gjitha kohërave. Më pas mbeti në atë çmim për disa orë para se të bjerë.
Nuk mund të dihet sigurt për qëllimet e Logan Paulit kur ai publikoi klipin. Por, ai ndikoi në rritjen e çmimit.
Portofoli anonim i kriptovalutave, i analizuar nga BBC-ja, duket se ka lidhje të ngushta me Paulin. Çdokush mund t’i shohë transaksionet e bëra nga një portofol, por pronari mund të zgjedhë të mbetet anonim. Nëse një pronar bashkëngjit emrin e tij ose të dhënat personale, ai bëhet një protofol publik.
Mund të shihet se ai portofol mori fonde për herë të parë në shkurt të vitit 2021, nga një portofol publik në pronësi të Logan Paul. Më pas nisi tregtinë e kriptove.
Protofoli më vonë u pagua me fonde nga Maverick Club dhe kishte Elongate kur Paul e promovoi atë më 10 maj 2021.
Pak kohë më pas, u këmbye me një “meme coin” tjetër të lidhur me Muskun, pasi Paul shkroi në twitter se po ajo monedhë “po shkon për në Hënë”. Në komunitetin kripto, kjo nënkupton se dikush beson se çmimi do të shkojë shumë lartë.
Rreth një orë para postimit të Paulit, ky portofol i panjohur bleu tokena në vlerë gati 160 mijë dollarë. Postimi më pas shkaktoi një fluks të madh të blerjeve, dhe rriti çmimin.
12 orë më vonë, portofoli shiti pjesën më të madhe të këtij “meme coin” që kishte në zotërim. Fitimi total ishte afro 120 mijë dollarë.
Logan Paul zgjodhi të mos i përgjigjej BBC-së në lidhje me porotofolin e kriptove, pavarësisht se iu përgjigj disa prej kërkesave të mediumit nëpërmjet ekipit të tij ligjor. Në qershor të vitit 2021, Paul promovoi edhe një “meme coin” të quajtur “Dink Doink”.
Ai e promovoi dhe përsëri shkaktoi një fluks blerjesh dhe rritje të çmimit.
Më pas mbajtësit e mëdhenj të këtij tokeni filluan të shesin, duke e bërë që çmimi të binte me 96 për qind.
“Time Magazine” kishte raportuar se një portofol tjetër anonim, që kishte blerë “Dink Doink” përpara se Logan Paul ta promovonte këtë, shiti menjëherë sasinë. Ky portofol më vonë dërgoi 100 mijë dollarë në portofolin publik të Paulit.
Kur BBC pyeti për këtë portofol, avokatët nuk mohuan se i përkiste atij, ose se mbahej për përfitimin e tij, por ishin të bindur se 100 mijë dollarët që u transferuan s’kishin lidhje me “Dink Doink”.
Ata e pranojnë se Paul bëri tregti me “Dink Doin”, por fitoi “vetëm” 17 mijë dollarë.