Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), është shprehur krenar me Akil Gjakovën dhe Nora Gjakovën në paraqitjet e tyre në lojërat olimpike “Paris 2024”.
Krasniqi, me anë të një postimi në ‘Facebook’ tha se me pak fat, Akil Gjakova do të kthehej me medalje nga lojërat olimpike. Gjakova shkoi deri në gjysmëfinale me mundësi për të shkuar në finale, mirëpo u mposht nga Heydarov i Azerbejxhanit.
“Me pak më shumë fat, Akil Gjakova sot do të kthehej me medalje nga Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. Megjithatë, një paraqitje fantastike, në eventin më të madh sportiv në botë ku finesat vendosin, duke treguar përgatitjen dhe kualitetin e tij të jashtëzakonshëm prej sportisti elitar”, shkruan Krasniqi.
Po ashtu, ai ka përmendur faktin se Nora Gjakova u bë sportistja e vetme që përfaqëson Kosovën në tri olimpiada të ndryshme.
“Me apo pa medalje, vetëm krenari për këtë djalosh. Po aq krenarë jemi edhe me Nora Gjakovën, motrën e tij, e cila u bë sportistja e vetme që përfaqëson Kosovën në tri Olimpiada të ndryshme. Familja Gjakova i ka dhënë shumë dinjitet e krenari xhudos dhe Kosovës, për çka u jemi shumë mirënjohës”.
“Faleminderit Nora dhe Akil. Suksese në paraqitjet tuaja të ardhshme!”, përfundon ai. /Insajderi.org/