Futbollistët e Kombëtares shqiptare do të vizitojnë Muzeun e Arteve të Vjenës për të parë nga afër armët e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Në një njoftim të shkurtër FSHF thotë se kjo vizitë simbolike për kuqezinjtë para Europianit ishte parashikuar muaj më parë.
“Drejtuesit, stafi dhe e gjithë skuadra, do të kenë mundësi të shikojnë nga afër armët dhe përkrenaren e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, të cilat janë të ekspozuara atje, shkruan Panorama Sport.
Nisur nga interesi i jashtëzakonshëm i tifozëve shqiptarë të kombëtares, për të qenë pranë saj dhe për të takuar futbollistët, zyra e shtypit e Federatës Shqiptare të Futbollit së futbollit njofton, se kombëtarja do të jetë në Vjenë në Muzeun e Artit, rreth orës 17.00. Të gjithë shqiptarët që dëshirojnë të shohin apo takojnë futbollistët e kombëtares, njoftohen se hyrja dhe dalja e skuadrës do të bëhet në “Entrata Hofburg, Heldenplatz, Ruestkammer’”,-thotë FSHF.
Pas vizitës në Muzeun e Vjenës, kuqezinjtë pritet të nisin fazën tjetër të stërvitjes për miqësoren e fundit me Ukrainën në prag të finaleve të Europianit “Francë 2016”.