Pas ndjekjes nga policia britanike, një makinë që drejtohej nga një trafikant shqiptar droge, përplas makinën e tij me disa dyqane në lagjen Crouch End në veri të Londrës.
Detektivët britanikë po survejonin gjatë një operacioni antidrogë grupin kriminal shqiptar, kur njëri prej tyre, shoferi i makinës që përplaset, në janar të këtij viti i dorëzon një valixhe një bashkëpunëtori të tij që merr një taksi, ku gjendeshin 12 kg kokainë.
Kur policia i kërkoi shqiptarit që drejtonte makinën me të cilën kishte sjellë drogen që të ndalonte, ai largohet me shpejtësi nga vendngjarja dhe pas ndjekjes nëpër rrugët e Londrës si nëpër filma, trafikanti shqiptar nga shpejtësia e madhe humb kontrollin e makinës dhe e përplas atë me disa dyqane, ku fatmirësisht nuk pati asnjë viktimë, edhe pse dyqanet pësuan dëmtime mjaft të mëdha.
Shqiptari pas përplasjes largohet me vrap, por qentë e policisë arritën ta kapin atë në afërsi të vendit të përplasjes dhe i gjejnë edhe 21 kg të tjera drogë, njofton televizioni Top Channel.
Ndërkohë, nga bastisjet në banesën e tij, policia zbuloi edhe 16.5 kg kanabis dhe një armë automatike “scorpion” me silenciator. Shqiptarët kanë marrë dënime që shkojnë nga 8 deri në 25 vjet burg. Sipas kryedetektivit Raines të Policisë Metropolitane, “ky rrjet kriminal furnizonte sasira të mëdha droge në Londër dhe droga e kapur kishte një vlerë prej 6.4 milionë sterlinash”.