“Londinezi” i premtimeve të mëdha, por jo i punëve: 75 projekte pa filluar – cilat janë tri më të bujshmet? - Insajderi
×
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    “Londinezi” i premtimeve të mëdha, por jo i punëve: 75 projekte pa filluar – cilat janë tri më të bujshmet?

    Insajderi
    27 June 2025 - 14:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.
    Shkruan: - Donjeta Islami

    “Nuk jam pjesë e LDK-së, jam partner i ngushtë i partisë”, me këtë fjali – që ngjalli më shumë konfuzion sesa qartësi, arkitekti ‘londinez’ Përparim Rama u fut në garën për të drejtuar Prishtinën nën petkun e Lidhjes Demokratike të Kosovës. I prezantuar si një figurë jopolitike, “i sjellë nga jashtë” për të sjellë risi urbane dhe një frymë moderne në kryeqytet, Rama hyri në pushtet me 206 premtime në fushatë.

    Fushata e tij ishte plot me plane për ta ndryshuar Prishtinën dhe për ta bërë një qytet më evropian, me premtime që i tërhoqën veçanërisht ata qytetarë që e votuan, që donin një mënyrë të re të qeverisjes.

    Por sot, kur mandati i tij po i afrohet fundit dhe zgjedhjet e reja janë caktuar për 12 tetor, bilanci flet vetë: 75 nga këto premtime nuk kanë filluar fare.

    Insajderi ka analizuar performancën e kryetarit Rama dhe sjell tri nga projektet më të mëdha që kanë mbetur në letër, premtime të bujshme, të shpallura me zë të lartë, por që nuk panë asnjë ditë punimesh.

    Qendra Olimpike dhe pishina në Bërnicë të Poshtme

    Një nga premtimet më të zëshme të Përparim Ramës gjatë fushatës ishte ndërtimi i një Qendre Olimpike në Bërnicë të Poshtme. Ky projekt përfshinte stadium olimpik, arenë multifunksionale dhe një pishinë me standarde ndërkombëtare.

    Ishte promovuar si nisma që do ta shndërronte Prishtinën në një destinacion rajonal sportiv.

    “Kemi shpalosur me krenari edhe konceptin tonë vizionar që tani po e quajmë Qendrën Olimpike… Në këtë pjesë do të jetë stadiumi olimpik, arena multifunksionale, do të kemi edhe bazenin olimpik, një numër të madh të sporteve olimpike ku ju do t’i keni kushtet më të mira për t’i arritur majat më të larta botërore”, deklaronte Rama në vitin 2021.

    Por, deri më sot, nuk është vendosur asnjë gur. Projekti ka mbetur vetëm në nivel koncepti.

    Sipas Institutit GAP, asnjë proces planifikimi teknik, buxhetor apo tenderues nuk është nisur. Kjo e rendit ndër dështimet më të mëdha simbolike të këtij mandati.

    Krijimi i “Sheshit Historik të Prishtinës” dhe zgjerimi i shesheve ekzistuese dhe lidhja e tyre deri te zona e Rrethit të Flamurit

    Një tjetër projekt i madh dhe me ngarkesë simbolike ishte ideja për Sheshin Historik të Prishtinës. Rama premtonte rigjenerimin e pjesës së vjetër të qytetit përmes shndërrimit të saj në një shëtitore kulturore, të lidhur me hapësirat publike ekzistuese deri te Rrethi i Flamurit.

    Ky projekt përfshinte elemente të rëndësishme të trashëgimisë arkitektonike dhe identitetit urban.

    Synimi ishte që Prishtina të fitonte një zemër të re historike, ku tradita dhe funksionaliteti modern të bashkëjetonin.

    Megjithatë, projekti nuk ka kaluar përtej retorikës. Sipas të dhënave, nuk është zhvilluar asnjë plan konkret zbatimi, dhe pengesat institucionale lidhur me statusin e zonës historike kanë bërë që kjo ide të mbetet në sirtar.

    Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM), që funksionon në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), deklaronte se projekti është në kundërshtim me Ligjin për Trashëgimi Kulturore.

    Parking nëntokësor te AKP-ja dhe zhvendosja e tregut të gjelbër

    Në përpjekje për të adresuar problemin e trafikut dhe mungesës së hapësirave publike në qendër të qytetit, Rama kishte premtuar ndërtimin e një parkingu nëntokësor te Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

    Sipërfaqja e këtij parkingu do të shfrytëzohej për zhvendosjen e tregut të gjelbër, duke krijuar një hapësirë moderne dhe funksionale për qytetarët dhe tregtarët.

    Ky ishte një nga premtimet më të përfolura në fushatë, për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të qytetarëve.

    Mirëpo, edhe ky projekt nuk ka kaluar në asnjë fazë konkrete të realizimit.

    Nuk ekziston një plan i detajuar, nuk është ndarë ndonjë buxhet dhe nuk është shpallur asnjë procedurë zyrtare për zhvillimin e tij. Për pasojë, zona në fjalë vazhdon të mbetet e mbingarkuar dhe pa zgjidhje funksionale.

    Këto tri projekte përfaqësojnë dështimet më të mëdha të premtimeve të pambajtura të Përparim Ramës. Ato janë të lidhura ngushtë me identitetin vizionar që ai pretendonte të sillte në qeverisjen lokale – sportin, trashëgiminë, hapësirën publike dhe jetën urbane.

    Përveç tri premtimeve kryesore që Insajderi përmendi më lart, Instituti GAP tregon se ka edhe 72 premtime të tjera që nuk janë nisur fare. Këto përfshijnë shumë fusha të ndryshme si infrastruktura, arsimi, shëndetësia, kultura, bujqësia dhe shërbimet publike.

    Në fushën e administratës, është premtuar krijimi i një platforme online nga Drejtoria e Inspekcionit që do t’u mundësonte qytetarëve të paraqesin vërejtjet dhe kërkesat e tyre, si dhe themelimi i inspektoriatit të gastronomisë për mbikëqyrje më efikase të këtij sektori. Ndërkaq, në arsim, Rama kishte premtuar ndërtimin e shkollave në lagjet “Kodrina”, “Kroi i Njelmët” dhe “Kodra e Trimave”, si dhe themelimin e “Liceut Artistik” që do të përfshinte drejtime si muzika, baleti, arti dhe gazetaria. Po ashtu, ishte paralajmëruar ofrimi i bursave për vajzat nga zonat rurale që vijojnë arsimin profesional në qytet.

    Në sektorin e bujqësisë, premtimet përfshinin përkrahjen e ndërtimit të stallave, krijimin e pikave grumbulluese për pemët e imëta, si dhe investime në frigoriferë për ruajtjen e prodhimeve bujqësore. Përveç kësaj, ishte planifikuar rregullimi i shtretërve të lumenjve dhe kryerja e analizave të ujit dhe tokës për fermerët që prodhojnë për eksport.

    Në ekonomi, Rama kishte premtuar rishikimin e tarifave të tatimit në pronë sipas zonave, mbulimin e një pjese të kostos së trajnimeve për punëtorët e rinj në fushën e teknologjisë informative, si dhe ofrimin e asistencës dhe përkrahjes financiare për bizneset e drejtuara nga gratë.

    Fusha e infrastrukturës ishte gjithashtu mbushur me projekte ambicioze, përfshirë lidhjen e sheshit “Nënë Tereza” me qytetin e vjetër, ndërtimin e nënkalimeve në pika kyçe si rrethi i Veternikut dhe stacioni i trenit, si dhe zhvillimin e parkingjeve nëntokësore në zona të ndryshme të qytetit. Projekte të tjera përfshinin investime në rrjetin e ujësjellësit, ndërtimin e pikave të reja të zjarrfikësve, themelimin e njësive vullnetare të zjarrfikësve, si dhe projekte për riciklimin e mbeturinave dhe përmirësimin e infrastrukturës energjetike.

    Në kulturë dhe turizëm, premtimet përfshinin funksionalizimin e Qendrës Informative të Turizmit dhe krijimin e qendrave të reja në aeroport dhe stacionin e autobusëve, themelimin e teatrit të ri dhe sallës multifunksionale kulturore, si dhe përfshirjen e arteve dramatike në kurrikulat shkollore.

    Në fushën e shëndetësisë dhe shërbimeve publike, ishte premtuar digjitalizimi i plotë i sistemit shëndetësor të Prishtinës, ndërtimi i qendrës së Mjekësisë Familjare në lagjen “Mati 2”, dhe shërbime të fizioterapisë në lagjen “Arbëria”. Po ashtu, ishte paralajmëruar themelimi i institutit për shëndetin publik me fokus në nevojat lokale të qytetarëve, krijimi i korridoreve të gjelbëra dhe hapja e tualeteve publike me standarde bashkëkohore.

    Në aspektin social dhe sportiv, Rama kishte premtuar ndërtimin e objektit të ri për Qendrën për Punë Sociale, linjën e telekëshillimit për viktimat e dhunës në familje, si dhe zhvillimin e banimit social për familjet në nevojë. Gjithashtu, kishte premtuar ngritjen e qendrave rehabilituese për përdoruesit e substancave narkotike, ndërtimin e sallave sportive në shkolla, funksionalizimin e stadiumeve dhe ndërtimin e terreneve sportive të ndryshme për të rinjtë.

    Gazeta Insajderi i ka kërkuar përgjigje Perparim Ramës lidhur me arsyet pse nuk i ka realizuar premtimet e dhëna, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli ai nuk ka kthyer përgjigje.

    Në garën për kryeqytetin, përveç Përparim Ramës nga LDK-ja, janë kandidatë edhe Hajrulla Çeku nga LVV, Uran Ismaili nga PDK dhe Bekë Berisha nga AAK.

    /Insajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark