Xhudistja kosovare Loriana Kuka e ka përmbyllur karrierën e saj si xhudiste pas Lojërave Olimpike në Paris. Ajo nuk arriti të marrë medalje, pasi që pësoi lëndim në gju gjatë mundjes në duelin e dytë të enjten.
Lajmin e ka lënë të nënkuptohet trajneri i saj, Driton Kuka, me anë të një postimi në ‘Facebook’. Kuka përkujtoi angazhimin e Lorianës se si ajo e lëshoi Zvicrën që ta përfaqësonte Kosovën në xhudo, shkruan Gazeta Insajderi.
“Dy fjalë për Lorin … La Zvicrën tash e 8 vjet,për të arritur ëndrrat e saj për Medalje Elitare! Fitoj medalje nga Kampionatet Evropiane e Botërore,e deshte edhe Olimpike por fati se deshti! Erdhe nga Zvicra duke treguar se je gjaku ynë dhe deshe të bëje krenar familjen,ekipin e Kombin Shqiptar”, ka thënë Kuka.
“Dëshira jote e madhe ishte të arrije sukseset që i arrite për babin tand,vëllaun tim Sylen që me aq pasion e mbolli dashurinë për sportin e xhudos tek unë,te Agroni te mbarë familja jonë! Fal teje vlla, jam në xhudo,fal teje që ishe treneri im dhe idoli im i jetës! Si axha yt … Lori të uroj fatin e Botës në jetën tande tash e tutje,në rrugëtimin e ri jetësor”, vijon postimi i Driton Kukës.
Me kaq është përmbyllur rrugëtimi i Kosovës në xhudo në garat për Lojërat Olimpike. Kosova arriti t’i marrë pesë medalje olimpike. /Insajderi.org/