Të dhënat e siguruara nga BIRN në Departamentin e Drejtësisë në SHBA tregojnë se gjatë vitit 2016, LSI ka bërë pagesa në vlerë 267,804 USD për kompaninë e saj të lobimit në Uashington, Global Security and Innovative Strategies, GSIS.
Pagesat përfshijnë tarifën mujore fikse prej 30,000 USD për kompaninë amerikane si dhe rimbursim të shpenzimeve, që kjo e fundit ka bërë gjatë përfaqësimit të interesave të liderëve të LSI-së pranë kongresit të SHBA-ve dhe administratës amerikane.
Shumat e paguara për GSIS-së i kanë siguruar liderëve të LSI-së takime të nivelit të lartë në Uashington. Megjithatë, LSI ka dështuar t’i raportojë të gjitha shpenzimet e kryera për llogari të kompanisë amerikane në raportin vjetor financiar të administruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ për vitin 2016, çka ngre dyshime për origjinën e parave dhe përbën shkelje ligjore.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se shpezimet e raportuara nga LSI në KQZ nën zërin konsulenca për vitin 2016, janë tre herë më të vogla se pagesat që ajo ka bërë për GSIS.
E kontaktuar nga BIRN, LSI nuk iu përgjigj deri në botimin e këtij shkrimi një kërkesë për koment mbi mosraportimin e plotë të pagesave të bëra për lobuesin amerikan dhe gjithashtu nuk sqaroi origjinën e parave me anë të të cilave GSIS është paguar.
GSIS është një kompani konsulence me qendër në Uashington D.C., e cila përfshin në mes të partnerëve të saj ish zyrtarë të lartë amerikanë si ish-kreu i Shërbimit Sekret Mark Sullivan dhe ish-kreu i Departamentit të Doganave dhe Kufirit në SHBA, David Aguilar.
Ajo është një nga dy kompanitë lobuese të angazhuara në Uashington nga LSI gjatë 12-muajve të fundit.
Përveç kontratës me GSIS, që ka vazhduar edhe në vitin 2017, LSI ka kontraktuar në Janar të këtij viti edhe kompaninë e lobimit McKeon Group, për t’i siguruar liderit të saj, Ilir Meta një ftesë në inaugurimin e presidentit të ri të SHBA-së, Donald Trump.
Në dy dokumente të depozituar në Departamentin të Drejtësisë në SHBA, GSIS ka nënvizuar se gjatë vitit 2016 e ka “këshilluar LSI-në në lidhje me marrëdhënien e saj me qeverinë e SHBA-së dhe liderët politikë të saj, ndërkohë që Republika e Shqipërisë bënte progres me reformën kushtetuese si dhe modernizimin e ekonomisë.”
Kompania amerikane ka siguruar një sërë takimesh për liderin e LSI-së, Ilir Meta dhe ministrin e Bujqësisë, Edmond Panariti në SHBA.
Të dhënat e Departamentit të Drejtësisë tregojnë që GSIS e ka asistuar Metën gjatë vizitës së tij nga 11 deri në 16 maj në Uashington, si dhe gjatë një vizite të dytë në periudhën 6-8 qershor. Gjithashtu, kompania lobuese amerikane ka siguruar takime në SHBA për Panaritin në datat 12-13 korrik.
GSIS i ka mundësuar kryetarit të LSI-së takime me anëtarë të Kongresit në SHBA, takime me zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë dhe të Departamentit të Shtetit.
Me asistencën e GSIS, Meta është takuar me 11 maj me Kryetarin e Komisionit të Ligjeve dhe Procedurave në Kongresin Amerikan, z. Pete Sessions dhe Kryetarin e Komisionit për Sigurinë Kombëtare, z. Michael McCaul.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në reporter.al