“Pokemon Go” dërgon të rinjtë boshnjak në fusha të minuara - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “Pokemon Go” dërgon të rinjtë boshnjak në fusha të minuara

    Insajderi
    20 July 2016 - 21:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Loja e re e “Nintendo”-s, “Pokemon Go” mund të ketë pushtuar botën e telefonave “smart”, por ajo duket se ka shkaktuar edhe pasoja që askush nuk do t’i mendonte. Loja i kërkon përdoruesve të ecin pranë lagjeve të jetës reale, ndërsa kërkojnë të kapin personazhe të tillë si Pikachu në ekranet e telefonave “smart”. Formula e re ka bërë për vete miliona njerëz dhe e ka çuar në 7.5 miliardë vlerën aksioneve të “Nintendo”-s në bursë.

    Megjithatë, boshnjakët që e luajnë këtë lojë janë paralajmëruar të shmangin kalimin drejt zonave që rezultojnë ende të minuara që prej luftës së viteve ’90. Ka qenë pikërisht shoqata boshnjake e bamirësisë “Posavina bez mina”, ajo që ka lëshuar alarmin pasi dëgjoi raportimet se përdoruesit e kësaj loje lëvizin nëpër hapësira të ndryshme e mund t’u duhet të shkelin edhe nëpër zona të rrezikshme.

    Lojtarët përdorin telefonat e tyre “smart” për të gjëmuar monstrat karikaturiste në jetën reale.

    Të paktën 600 persona kanë mbetur të vdekur për shkak të aksidenteve të ndryshme nëpër zonat e minuara në Bosnje, që prej fundit të luftës së vitit 1995. Rreth 120 mijë mina rezultojnë ende të pazbuluara, sipas përllogaritjeve të një grupi ekspertësh të çminimit.

    E ndërsa popullariteti i “Pokemon Go” po tejkalon pritshmëritë, po aq të larta kanë qenë edhe incidentet dhe aksidentet rrugore në të cilat janë përfshirë përdoruesit e kësaj loje.

    “Kemi marrë informacione se disa përdorues të aplikacionit ‘Pokemon Go’ në Bosnje-Hercegovinë kanë hyrë nëpër zona të rrezikuara nga minat, në kërkim të monstrave”, shkruan shoqata e bamirësisë në “Facebook”. “Qytetarët janë të lutur të mos e bëjnë këtë gjë, të respektojnë shenjat ndaluese të zonave të rrezikshme të minuara, e jo të futen nëpër hapësira të panjohura për ta”, shtohet më tej në paralajmërimin e saj.

    Më herët gjatë kësaj jave, dy adoleshentë në shtetin e Floridës janë qëlluar për vdekje nga një shtëpiake, e cila i kishte ngatërruar ata për hajdutë. Loja, gjithsesi, ka pasur edhe efekte të papritura pozitive: në një prej qyteteve britanike, policia tha se disa përdorues të saj raportuan një vjedhje teksa ishin në kërkim të monstrave./Insajderi.com

     


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark