Lufta në Lindjen e Mesme ngre alarm në të gjithë globin - ja cilat vende po evakuojnë qytetarët e tyre nga Izraeli dhe Irani - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Botë

    Lufta në Lindjen e Mesme ngre alarm në të gjithë globin – ja cilat vende po evakuojnë qytetarët e tyre nga Izraeli dhe Irani

    Insajderi
    20 June 2025 - 16:41
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Vendet anembanë botës po marrin masa për të evakuuar qytetarët e tyre nga Izraeli dhe Irani pas nisjes së konfliktit të drejtpërdrejtë disa ditë më parë dhe mbylljes së hapësirave ajrore.

    Qeveria australiane ka evakuuar një grup prej 1,200 qytetarësh nga Izraeli me rrugë tokësore, tha Ministrja e Jashtme australiane Penny Wong. Rreth 2,000 australianë në Iran janë regjistruar për ndihmë evakuimi, raporton Reuters.

    48 austriakë u evakuuan gjithashtu nga Izraeli – nga rreth 200 që u paraqitën në ambasadën austriake në Tel Aviv.

    Rreth 100 austriakë kanë kërkuar të largohen nga Irani në të njëjtën kohë, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme e Austrisë, duke deklaruar se 44 qytetarë të atij vendi dhe të Bashkimit Evropian janë evakuuar tashmë nëpërmjet Turqisë dhe Armenisë.

    Bullgaria ka mbyllur ambasadën e saj në Teheran dhe ka evakuuar stafin diplomatik dhe familjet e tyre në Azerbajxhan, tha sot kryeministri Rosen Zhelyazkov, duke shtuar se ambasada bullgare do të vazhdojë aktivitetet e saj nga Baku.

    Kina ka evakuuar më shumë se 1,600 qytetarë nga Irani dhe disa qindra nga Izraeli, dhe sipas mediave shtetërore, disa mijëra kinezë të tjerë ndodhen në Iran.

    Ministria çeke e Mbrojtjes njoftoi se 66 persona u evakuuan nga Izraeli me aeroplan.

    Franca ka njoftuar se do të organizojë një konvoj deri në fund të kësaj jave për të evakuuar qytetarët e saj nga Irani përtej kufirit me Turqinë dhe Armeninë, ndërsa francezët që ndodhen në Izrael mund të hipin në autobusë që nga mëngjesi i sotëm për të kaluar në Jordani, dhe do t’u ofrohen fluturime çarter në Aman.

    Ministria e Jashtme gjermane njoftoi se 345 qytetarë gjermanë u larguan nga rajoni i Lindjes së Mesme dhe shteti u siguroi atyre fluturime çarter.

    Greqia evakuoi 16 qytetarë nga Irani, si dhe anëtarët e familjeve të tyre, dhe ata mbërritën në Azerbajxhan me rrugë tokësore.

    India ka nisur një operacion të posaçëm për të evakuuar qytetarët e saj nga Irani, tha ministria e jashtme e vendit, duke shtuar se 110 studentë kishin kaluar nga Irani verior në Armeni.

    Italia po organizon fluturime çarter nga Egjipti më 22 qershor për të lejuar shtetasit e saj në Izrael të largohen nga rajoni. Gjithashtu, ajo siguroi konvoje rrugore nga Teherani në vendet fqinje të Iranit.

    Ministri i Jashtëm japonez Takeshi Iwaya njoftoi sot se 87 qytetarë japonezë janë evakuuar me rrugë tokësore nga Izraeli dhe Irani, dhe pjesa e dytë e evakuimit është planifikuar të ndodhë nesër.

    Zelanda e Re mbylli përkohësisht ambasadën e saj në Teheran dhe evakuoi një numër të vogël stafi me familjet e tyre në Azerbajxhan.

    Polonia përfundoi evakuimin e qytetarëve të saj nga Irani të enjten. Një aeroplan me rreth 40 persona nga Izraeli duhet të mbërrijë në Poloni të dielën dhe dy fluturime të tilla janë realizuar me sukses tashmë.

    Portugalia mbylli përkohësisht ambasadën e saj në Iran dhe evakuoi një grup të vogël qytetarësh të saj nëpërmjet Azerbajxhanit. U morën 130 kërkesa për evakuim nga Izraeli me aeroplan.

    Sipas Reuters, një grup prej rreth 100 qytetarësh serbë u larguan nga Izraeli nëpërmjet Egjiptit, tha të enjten ambasadori Miroljub Petroviç.

    Autoritetet sllovake njoftuan se fluturimi i parë i evakuimit me 73 persona, përfshirë turistë dhe anëtarë të familjeve të përfaqësuesve diplomatikë, mbërriti në Bratislavë të hënën. Duke filluar nga sot, ambasada sllovake në Teheran do të mbyllet përkohësisht dhe i gjithë shërbimi diplomatik është evakuuar.

    Koreja e Jugut mbështeti evakuimin e 32 qytetarëve nga Irani dhe 25 nga Izraeli, të cilët mbërritën përkatësisht në Turkmenistan dhe Jordani.

    Dhe 36 tajvanezë u evakuuan nga Izraeli me anë të tokës, dhe tre persona u larguan nga Irani nëpërmjet kufirit me Turqinë.

    Uganda evakuoi disa diplomatë dhe rreth 40 studentë nga Irani në Turqi.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës po punojnë për evakuimin e qytetarëve të tyre që duan të largohen nga Izraeli duke organizuar fluturime dhe transporte detare për ta.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark